​Ikja e Avdullahut dhe Hajdarit, reagon për herë të parë presidenti i federatës zvicerane të futbollit

Creator: IMAGO/Maik Hölter/TEAM2sportphoto | Credit: IMAGO/Team 2 Copyright: IMAGO/Team 2

Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Peter Knäbel, ka folur për sfidën e shtetësisë së dyfishtë te lojtarët e rinj. Ai theksoi se kohët e fundit dy talente, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari zgjodhën shtetësinë e Kosovës, por kjo nuk është rezultat i ndonjë gabimi nga federata.

“Ne provuam gjithçka. Madje vizitova Leon Avdullahun në Hoffenheim, së bashku me Murat Yakin, por vendimi i tij ishte marrë tashmë,” tha Knäbel për televizionin zviceran SRF, duke shtuar se kjo situatë tregon se sa e rëndësishme është kjo çështje: rreth 70 përqind e lojtarëve të rinj të Zvicrës kanë shtetësi të dyfishtë.

Ai theksoi se konkurenca midis federatave është gjithmonë në rritje, dhe vendet e tjera përballen me sfida të ngjashme. “Në Angli, për shembull, 77 përqind e lojtarëve në ekipin kombëtar U17 kanë pasaporta të dyfishta,” shtoi Knäbel.

Sa i përket kohës kur lojtarët duhet të vendosin për shtetësinë e tyre, Knäbel tha: “Do të ishte mirë nëse vendimi do të merrej më herët, veçanërisht për vetë lojtarët. Atëherë ata nuk do ta kishin çështjen vazhdimisht në mendje dhe do të mund të përqendroheshin në edukimin e tyre. Megjithatë, është e vështirë të caktohet një datë e caktuar”. /KosovaPress/

Read Previous

Sa milionë euro janë investuar për ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së?

Read Next

NASA: Vrima e ozonit në 2025, një nga më të voglat në dekada