Zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil u bëri thirrje autoriteteve kineze të angazhohen më shumë për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa nisi sot vizitën e tij zyrtare në Pekin.
Gjatë takimit me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng, Klingbeil, i cili është gjithashtu ministër i Financave, tha se ishte i bindur “se Kina mund të luajë një rol vendimtar në këtë proces”.
“Lufta në Ukrainë po krijon pasiguri për zhvillimin ekonomik global”, argumentoi ai.
Zëvëndëskryeministri He theksoi se qëndrimi i Kinës ndaj “krizës së Ukrainës” mbetet i pandryshuar.
”Pekini mbështet të gjitha përpjekjet që çojnë drejt paqes dhe dëshiron të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen e situatës, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë Gjermaninë”, tha ai.
Kina konsiderohet partnere e ngushtë e Moskës dhe nuk e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë.
Pekini vazhdon tregtinë e gjerë me Rusinë dhe është blerësi kryesor i naftës ruse.
Klingbeil është ministri i parë gjerman që viziton Kinën që nga ardhja në pushtet në maj e qeverisë konservatore të kancelarit Friedrich Merz.
Ministri i Jashtëm Johann Wadephul shtyu një udhëtim të planifikuar disa javë më parë, pasi nuk mundi të siguronte takime me përfaqësues mjaftueshëm të lartë në Pekin, në sfondin e tensioneve mbi Tajvanin. /ATSH-DPA/