Lavrov i kërkon Rubios ndalimin e dërgesave të armëve për Ukrainën
Polonia do të shpalosë programin e ri të trajnimeve ushtarake këtë muaj në kuadër të një plani më të gjerë të trajnimit të rreth 400 mijë personave më 2026, ka bërë të ditur të enjten (06.11.2025) Ministria polake e Mbrojtjes, raporton Reuters.
Në dritën e zhvillimeve të lidhura me pushtimin rus të Ukrainës, Polonia shpenzon tani më shumë hise të buxhetit të saj kombëtar për mbrojtje se çdo shtet tjetër anëtar i NATO-s. Është kthyer në vendi me ushtrinë e tretë më të madhe të aleancës me 216 pjesëtarë, dhe planifikon që të rrisë numrin e forcave për pothuajse një të tretën në dekadën e ardhshme.
Konsideruar prej ministrit të Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, si “trajnimi më i madh i mbrojtjes në historinë polake”, programi “Në gjendje gatishmërie” do të jetë vullnetar dhe i hapur për të gjithë qytetarët – prej fëmijëve të shkollave deri te të rriturit, kompanitë dhe të moshuarit.
Programi do të ofrojë kurs bazë sigurie, trajnim mbijetese, udhëzime mjekësore dhe klasa të sfidave kibernetike.
“Vetëm në nëntor dhe dhjetor, ne do të trajnojmë rreth 20 mijë persona në trajnim individual, por numri i përgjithshëm…, në aspektin e të gjitha formave të trajnimit, është rreth 100 mijë persona”, ka deklaruar në konferencë zëvendësministri i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk.
Ministria planifikon vitin e ardhshëm të trajnojë afërsisht 400 mijë persona “individualisht, në grupe, si pjesë e ‘Edukimit me Ushtrinë’, trajnimit rezervist dhe shërbimit të detyrueshëm ushtarak vullnetar”, ka shtuar Tomczyk.
Shefi i shtabit të përgjithshëm të Polonisë, Wieslaw Kukula, ka thënë se programi ka dy qëllime kryesore – të forcojë qëndrueshmërinë e qytetarëve dhe komuniteteve dhe të rrisë disponueshmërinë, gatishmërinë dhe kapacitetin e rezervistëve.
Programi u shpall për herë të parë nga kryeministri Donald Tusk në mars për “ndërtimin e një ushtrie rezervistësh” pas shqetësimeve të shtuara të sigurisë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. /Kallxo.com