Formula 1| Verstappen: Nuk ndjej asnjë presion, kam bërë më të mirën këtë sezon me këtë makinë

Max Verstappen ndodhet ende i treti në renditjen e botërorit për pilotë. Ai është 36 pikë pas Lando Norris, që aktualisht kryeson renditjen. Rikuperimi nga diferenca prej mbi 100 pikësh e verës së kaluar ka qenë i jashtëzakonshëm, por kanë mbetur vetëm katër gara (edhe dy gara sprint) për të provuar përmbysjen e madhe.

Në konferencën para garës së ardhshme në Brazil, piloti holandez i Red Bull shpjegoi: “Kemi pasur gara të mira që kanë ngushtuar hendekun, por ai është ende mjaft i madh. Duhet të shënoj bëj më tepër pikë se ata çdo fundjavë, gjë që nuk është aq e lehtë”.

“Nëse do të ishte viti 2023, do të thoja se nuk ka probleme, por ky sezon është pak më ndryshe, po përpiqemi të optimizojmë gjithçka. Ndoshta do të na duhet pak fat të paktën në një garë, por do t’i japim gjithçka”, shtoi Verstappen.

Verstappen, më pas synon të ushtrojë presion mbi rivalët e tij, duke ia hequr atë vetes dhe ekipit të tij: “Nuk kemi asgjë për të humbur. Në rastin më të keq, do të qëndrojmë në vendin e tretë; në rastin më të mirë, mund të fitojmë kampionatin. Nuk jam nën presion”.

“E di që kam pasur një sezon të shkëlqyer dhe kam ngarë shumë mirë. Mendoj se do të kishte qenë e vështirë për këdo në cirkuit të më imitonte. Sigurisht, lufta në McLaren do të krijojë një lloj shpërqendrimi, por ata ende kanë një makinë shumë të shpejtë”, tha Verstappen.

Pak pilotë në Formula 1 mund të thonë se kanë një marrëdhënie të veçantë me një pistë sa Max Verstappen me Interlagos. Pista braziliane ka ofruar shumë momente unike në karrierën e 4 herë kampionit të botës, nga kalimi i tij epik nga jashtë ndaj Nico Rosberg në vitin 2016 deri te fitorja e tij e paharrueshme vitin e kaluar, me rikthimin e tij nga vendi i 17-të në të parin që në thelb i siguroi atij titullin për pilotë.

“Brazili është një vend i veçantë për mua, jo vetëm për shkak të garave të pabesueshme dhe momenteve fantastike që kemi pasur atje, por edhe sepse vjehrrit e mi janë brazilianë“, theksoi Verstappen, i cili është i lidhur romantikisht me Kelly Piquet, vajzën e Nelson Piquet, 3 herë kampion bote.

“Mund të bjerë shumë shi atje, kështu që garat mund të jenë mjaft të çmendura. Mendoj veçanërisht për vitin e kaluar, ku fituam pasi u kualifikuam në vendin e 17-të. Ishte një fitore emocionale dhe një moment i rëndësishëm për kampionatin. Do të vesh një helmetë të veçantë kushtuar Brazilit për këtë garë. Është një vend me shumë histori dhe traditë të shkëlqyer, por gjithashtu mban shumë kujtime të mrekullueshme për mua”, tha Verstappen.

Më tej, holandezi tha: “Zgjodha ngjyrat tradicionale për helmetën, të cilat vërtet bien në sy. Mendoj se dizajni është vërtet i bukur dhe mezi pres ta vesh në pistë. Tifozët janë super të apasionuar dhe gjithmonë më ka pëlqyer të garoj në një pistë kaq historike. Të shohësh atë atmosferë dhe të jesh pjesë e saj është e pabesueshme.” /Telesport.al/

Read Previous

Polonia me programin e ri ushtarak synon t’i trajnojë 400 mijë qytetarë më 2026

Read Next

Rama tregon skemën: Pensionet do të rriten çdo muaj nga janari, paga minimale shkon në 500 euro