Zyrtari i OKB-së: Sulmet e ShBA-së ndaj barkave të dyshimta të drogës e shkelin të drejtën ndërkombëtare

Zyrtari i lartë për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, i ka dënuar sulmet ushtarake amerikane ndaj barkave që dyshohet se po transportonin drogë në Karaibe dhe Paqësor, duke thënë se këto sulme vdekjeprurëse e shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe përbëjnë “vrasje jashtëgjyqësore”.

Turk tha të premten se më shumë se 60 njerëz thuhet se janë vrarë nga sulmet e forcave amerikane nga pjesa e parë e shtatorit, raporton televizioni BBC.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se këto sulme janë të nevojshme për ta luftuar rrjedhën e drogës drejt vendit të tij dhe se ai ka autoritet ligjor që ta vazhdojë bombardimin e barkave në ujëra ndërkombëtare.

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Pete Hegseth, ka thënë se sulmet po kryhen kundër barkave që operohen nga grupe të trafikimit të drogës, të futura në listën e organizatave terroriste nga Uashingtoni.

Turk, edhe pse i pranoi sfidat në luftimin e trafikimit të drogës, tha në një deklaratë se rrethanat për sulmet vdekjeprurëse “nuk gjejnë justifikim në të drejtën ndërkombëtare”.

Sipas së drejtës ndërkombëtare, përdorimi i qëllimshëm i forcës “është i lejueshëm vetëm si zgjedhje e fundit kundër individëve që paraqesin rrezik të menjëhershëm ndaj jetës”, shtoi ai.

Zyrtari i OKB-së u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i shfrytëzojnë metodat e zbatimit të ligjit, përfshirë pengimin e barkave dhe arrestimin e të dyshuarve dhe, nëse është e nevojshme, edhe ndjekjen penale ndaj tyre.

Shumica e sulmeve kanë ndodhur afër brigjeve të Amerikës së Jugut në Karaibe, edhe pse nga sulmet në Oqeanin Paqësor këtë javë u vranë të paktën 18 njerëz, sipas sekretarit Hegseth. /GazetaSinjali/

Read Previous

Basketboll | Përballje shumë interesante në xhiron e katërt

Read Next

​33 vjet nga hyrja në fuqi e Traktatit të BE-së