Komisioni Evropian ka marrë kompetenca të reja për të rregulluar eksportin e pajisjeve me përdorim të dyfishtë, që mund të përdorem si për qëllime civile ashtu edhe ushtarake. Ky hap i Komisionit Evropian ka për qëllim që të kufizojë aksesin e Rusisë në teknologji të avancuar si kompjuterët kuantikë dhe makineritë për prodhimin e gjysmëpërçuesve.
Kjo është hera e parë që Komisioni vepron pa marrë konsensus ndërkombëtar, për shkak të bllokimit të Rusisë në forumet multilaterale si Marrëveshja e Wassenaar-it, ku Rusia është anëtare dhe pengon listimin e produkteve që i nevojiten për luftën në Ukrainë. Vendimi synon të rrisë efektivitetin dhe transparencën duke krijuar një listë të përbashkët të mallrave të kontrolluara në nivel BE-je.
Lista e re do të hyjë në fuqi në nëntor, përveç nëse ka kundërshtime nga shtetet anëtare ose Parlamenti Evropian. Komisioni po kërkon gjithashtu më shumë kompetenca për të koordinuar kontrollet kombëtare dhe për të monitoruar investimet hyrëse dhe dalëse për arsye sigurie.
Shtetet anëtare të BE-së deri më tani kanë zbatuar kontrolle të eksportit në bazë të marrëveshjeve multilaterale, kryesisht për të ndaluar eksportin në vende si Irani apo për të parandaluar grupet terroriste. Por këto masa duhet të rishikohen çdo gjashtë muaj, duke e bërë zbatimin e tyre më të vështirë.
Ekspertët vlerësojnë se këto masa do t’i mundësojnë BE-së të përballet më mirë me presionet e SHBA-së për një qasje më të ashpër ndaj Kinës, e cila ka përdorur gjithnjë e më shumë kontrolle eksporti për të kundërshtuar tarifat dhe kufizimet perëndimore./eporteri/