Sonte përballja e madhe, Kristian Prenga sfidon Anthony Joshuan
Kafeja është bërë pjesë e pandashme e mëngjesit për miliona njerëz në mbarë botën. Ajo nuk shihet vetëm si një pije që na jep energji, por edhe si një ritual social dhe kulturor. Për një kohë të gjatë, pyetja kryesore ka qenë: a na bën mirë apo dëm kafeja?
Studiuesit kanë ofruar përgjigje të ndryshme ndër vite. Disa hulumtime e lidhnin konsumimin e tepërt me probleme shëndetësore, ndërsa studime më të reja sugjerojnë se një konsum i moderuar mund të ketë efekte pozitive – duke ulur rrezikun e disa sëmundjeve, si ato të zemrës apo diabeti i tipit 2.
Megjithatë, gjithçka varet nga mënyra dhe sasia e konsumimit. Ekspertët theksojnë se 2 deri në 3 filxhanë në ditë mund të jenë të pranueshëm për shumicën e njerëzve, ndërsa teprimi sjell rreziqe si pagjumësia, ankthi apo shtimi i tensionit të gjakut.
Sipas të dhënave të Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë (ITC), konsumi i kafesë në botë gjatë dhjetë viteve të fundit ka arritur vlerën prej 370.3 miliardë dollarësh. Ky treg po njeh rritje të vazhdueshme, e nxitur kryesisht nga zgjerimi i zinxhirëve të kafesë dhe kërkesa gjithnjë e më e lartë globale.
Nga viti 2015 deri në vitin 2024, importet totale të kafesë kapën shifrën e përmendur, ku SHBA-ja doli si importuesi kryesor me 69.2 miliardë dollarë. Pas saj renditen Gjermania me 41.9 miliardë dollarë dhe Franca me 28.9 miliardë dollarë.
Ndër importuesit e tjerë të mëdhenj përfshihen Italia, Kanadaja, Belgjika, Spanja, Japonia, Holanda dhe Zvicra. Vetëm këto dhjetë vende së bashku mbajtën 64.4 për qind të tregut global gjatë dekadës së fundit, me një vlerë totale prej 238.5 miliardë dollarësh.
Në anën tjetër, Brazili mban statusin e eksportuesit më të madh në botë, duke gjeneruar 360.3 miliardë dollarë nga eksportet e kafesë gjatë të njëjtës periudhë. Zvicra dhe Kolumbia ndjekin me shifra shumë më të ulëta, përkatësisht 28.7 miliardë dollarë dhe 28.6 miliardë dollarë. Gjermania, Vietnami, Italia, Hondurasi, Franca, Belgjika dhe Indonezia janë gjithashtu pjesë e listës së dhjetë eksportuesve kryesorë.
Edhe Turqia ka përjetuar një rritje të ndjeshme në tregun e kafesë. Importet e saj nga viti 2015 deri më 2024 kapën vlerën prej 2.7 miliardë dollarësh. Vetëm në këtë periudhë, shpenzimet për kafe të importuar u rritën nga 153.4 milionë dollarë në vitin 2015 në 497.1 milionë dollarë në vitin 2024 – një rritje prej 224 për qind, sipas të dhënave të institutit turk të statistikave, TurkStat. Në të njëjtën kohë, eksportet e kafesë nga Turqia arritën 354.5 milionë dollarë në dhjetë vitet e fundit, ndërsa deri në qershor të këtij viti shënuan 55.6 milionë dollarë.