Trump “ndëshkon” Brazilin, por nuk prek eksportet strategjike

SHBA-ja përjashtoi disa nga eksportet më të rëndësishme të Brazilit nga tarifa prej 50% që Presidenti Donald Trump nënshkroi sot, 30 korrik, me urdhër ekzekutiv, përfshirë lëngun e portokallit, disa modele avionësh, dru dhe produkte të energjisë.

Kjo solli një rritje të menjëhershme të aksioneve të kompanisë ajrore Embraer dhe prodhuesit të drurit Suzano.

Në një dokument zyrtar të bërë publik, qeveria amerikane e lidh vendimin për tarifat me ndjekjen penale që po i bëhet ish-presidentit Jair Bolsonaro në Brazil, i cili është në gjyq për akuzat e përpjekjes për grusht shteti pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2022.

Megjithatë, dhjetëra eksporte kyçe braziliane në drejtim të SHBA-ve u lanë jashtë listës. Një nga shqetësimet kryesore për qeverinë e presidentit Luiz Inacio Lula da Silva ishin avionët e prodhuar nga kompania Embraer, e cila eksporton 45% të avionëve komercialë dhe 70% të avionëve ekzekutivë në SHBA.

Analistët kishin paralajmëruar gjithashtu ndikim serioz për Suzano, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të drurit.

Pas lajmit, aksionet e Embraer u rritën me 11% në bursën e Sao Paolos, ndërsa Suzano u rrit me mbi 1%.

Urdhri ekzekutiv erdhi në të njëjtën ditë kur SHBA-të njoftuan sanksione ndaj një gjyqtari të Gjykatës Supreme të Brazilit që po mbikëqyr gjyqin e Bolsonaros, duke e akuzuar për ndalime arbitrare dhe shtypje të lirisë së shprehjes./reporteri

Read Previous

24 orët e fundit në rajonin e Gjakovës: Hetim vdekjeje, substancë narkotike në veturë dhe mbetje eshtërore nga lufta

Read Next

Ballkani kërkon tjetër fitore në Maltë