Rasti në Lipjan, reagon Avokati i Popullit

Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur me shqetësim rastet e raportuara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në dy raste të ndara – njëri rast i ndodhur në Klinë dhe rasti tjetër së fundmi në Lipjan, ku për pasojë humb jetën një qytetar.

Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor.

Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë.

Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e rasteve.

Po ashtu është e rëndësishme të theksohet rëndësia e zbatimit të standardeve profesionale në çdo ndërhyrje policore dhe domosdoshmërinë e trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët e rendit.

Avokati i Popullit do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet rreth këtyre rasteve dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve. /KosovaPress/

Read Previous

Prof. Dashi: Përqindja e Testit të Arritshmërisë vjen si rezultat i shumë faktorëve

Read Next

Abrashi: Nuk tërhiqemi nga votimi i fshehtë derisa të marrë epilog