Publikohen statistikat e tregtisë së jashtme për maj

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin maj 2025.

Sipas këtyre të dhënave deficit tregtar prej 21,5% në muajin maj 2025, krahasuar me maj 2024

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,5% në muajin maj 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 523,4 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 430,6 milion Euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 13,5%.

Eksporti i mallrave në muajin maj 2025 kishte vlerën 81,4 milion Euro, ndërsa importi 604,7 milion Euro, që është një rënie prej (-0,5%) për eksport, si dhe një rritje prej 17,1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 14,7% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura; 9,9% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; pijet dhe duhani; 8,2% e përbëjnë tekstili dhe artikujt nga tekstili, etj.

Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 13,0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,6% e përbëjnë mjetet e transportit; 12,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9,9% e përbëjnë produktet minerale; etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës në vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 29,0 milion Euro, ose rreth 35,6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2,3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (12,5%), Italia (3,5), Holanda (3,1%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 265,1 milion Euro, ose 43,8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13,0%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,6%), Italia (5,1%), Polonia (5,1%), etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34,5 milion Euro, ose 42,5% të eksporteve  të përgjithshme, me një rënie prej (-13,0%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (14,8%), Shqipëria (13,6%), Mali i Zi (6,5%), Serbia (6,1%).

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 69,6 milion Euro, ose 11,5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 3,3%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (3,7%), Serbia (3,4%), Shqipëria (3,3%).

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17,9 milion Euro, ose 21,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,3%) dhe Turqia (4,1%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 270,0 milion Euro, ose 44,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,4%) dhe Kina (12,1%).

Read Previous

Përfundon viti shkollor 2024-2025

Read Next

Leavitt nga Shtëpia e Bardhë: Vendet bërthamore të Iranit janë shkatërruar plotësisht