Policia e shtetit ka njoftuar se ka finalizuar operacionin policor i koduar “Hidden Funds”.
Në njoftim thuhet se gjatë aksionit janë sekuestruar 500 mijë euro, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
“Nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj (exchange), me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, procedohet në gjendje të lirë pronarja e subjektit. Si rezultat i një hetimi, të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i DVP Tiranë dhe të ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua operacioni “Hidden Funds”, në kuadër të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe”, thuhet në njoftim.
Po ashtu thuhet se në subjektin në pronësi të kësaj shtetaseje, sipas provave të mbledhura, rezulton se depozitoheshin para të padeklaruara nga persona të ndryshëm, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar.
“Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”. /Telegrafi/