Senati amerikan ka miratuar një projektligj për vendosjen e rregullave të para federale mbi stablecoins – kriptomonedha të lidhura me dollarin. Ligji, i njohur si GENIUS Act, u mbështet nga të dyja partitë dhe kaloi me 68 vota pro dhe 30 kundër. Ai do të shkojë për miratim në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se të nënshkruhet nga Presidenti Donald Trump.
Ky është zhvillimi më i rëndësishëm në rregullimin e tregut të kriptove në SHBA, duke sjellë për herë të parë një kornizë të qartë ligjore për një sektor që ka njohur rritje të vrullshme. Ligji kërkon që stablecoins të jenë të mbuluara me aktiva të sigurta, si dollarë amerikanë dhe bono thesari, ndërsa emetuesit duhet të publikojnë raport mujor mbi rezervat e tyre.
Industria e kriptove e ka pritur këtë hap prej kohësh, pasi synon ta bëjë përdorimin e këtyre monedhave më të sigurt dhe të përhapur. Sektori ka investuar mbi 119 milionë dollarë për të lobuar në Kongres dhe për të mbështetur kandidatë pro-kripto.
Megjithatë, jo të gjithë janë entuziastë. Demokratët kritikuan përfshirjen e presidentit në projekte personale me kripto dhe mungesën e garancive kundër pastrimit të parave. Ndërsa senatorja Elizabeth Warren e quajti ligjin një kërcënim për sigurinë kombëtare, konsumatorët dhe sistemin financiar.
Projektligji pritet të diskutohet dhe mund të pësojë ndryshime në Dhomën e Përfaqësuesve, përpara se të bëhet ligj. /tvklan.al