Dhomat e tregtisë dhe industrisë kanë kërkuar shtyrjen për një vit të tregut të lirë të energjisë, derisa kanë apeluar për pjesëmarrje sa më të madhe të bizneseve dhe qytetarëve në protestën që do të mbahet nesër kundër vendimit të Zyrës të Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tregun e lirë të energjisë, që hyri në fuqi më 1 qershor.
Në një konferencë për media, u bë e ditur se protesta e nesërme do të mbahet nga ora 11:00 deri në ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se kjo është një nxjerrje e dhunshme e njëmijetreqind (1300) bizneseve në tregun e lirë.
“Protesta do të jetë nesër prej orës 11 deri në ora 12. I ftojmë të gjithë ata që preken që të bashkëngjiten për të mirën e vendit, për të mirën e konsumatorëve pasi në fund qytetarët do të paguajnë rritjen e çmimit… Ftojmë ZRrE të reflektojë, asnjë biznes nuk është kundër, ne e kemi një kërkesë të vetme të ketë një kohë tranzicioni që bizneset të përgatiten dhe të ketë më shumë oferta dhe më shumë mundësi se ka sot… Protestat nuk do të ndalen, ky është mjeti i fundit që ka mbetur. Shpresojmë të ketë reflektim na Qeveria e Kosovës. KEK është i vetëdijshëm që 60 ditë është i obliguar të furnizojë me energji, por pas 60 ditëve i mbaron obligimi. 143 mijë familje janë në pikëpyetje, biznesi është në krizën më të madhe sot”, tha Rafuna.
Kryetari i bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Skënder Krasniqi tha se nga 1300 biznese, vetëm tri kanë arritur marrëveshje me KEK-un.
“Mbi 99 për qind e bizneseve nuk kane arritur marrëveshje sepse nuk janë të kënaqur dhe i dinë pasojat e kësaj marrëveshjeje… Ne ftojmë qytetarët të cilët do të jenë të afektuar më së shumti, punëtorët dhe bizneset që nesër të gjithë të dalin në shesh dhe të protestojnë për këtë veprim të shpejtë. Të gjitha bizneset planifikimet i kanë bërë për këtë vit dhe nuk i kanë llogaritur se do të ketë rritje të çmimit se as nuk e dinë se çfarë çmimi do të marrin në fund të çdo muaji për shkak se do jetë një çmim tregu dhe është i paparashikueshëm dhe çmimet pastaj do të hypin në qiell dhe dëmet do të jenë të mëdha”, tha Krasniqi.
Më 29 maj bizneset dolën në protestë si shenjë pakënaqësie lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke bllokuar hyrje-daljet në Prishtinë. /KosovaPress/