Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të respektojë risitë në Ligjin e ri për KPK-në, i cili dje është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe pritet që brenda 15 ditëve nga shpallja të hyjë në fuqi.
IKD ka bërë thirrje që KPK-ja të mos lejojë cenimin e parimeve të përcaktuara me ligjin e ri dhe që të mos lejojë që anëtarë të saj, përmes ofrimit të dorëheqjes të zëvendësohen me anëtarë të rinj ose duke i avancuar apo transferuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës me procedura të shpejta.
“IKD kërkon dhe pret nga KPK të mos lejoj në asnjë rrethanë që për interesa të ngushta të anëtarëve të saj aktual, apo anëtarëve që kanë ofruar dorëheqje, të shkelën dhe cenohen parimet e përcaktuara në ligjin e ri të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe që ka kaluar filtrin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e institutit.
Deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, IKD ka theksuar se çdo veprim në kundërshtim me këtë frymë dhe qëllimin e këtij ligji do të mund të perceptohej si “tentativë për të sabotuar reformën në sistemin prokurorial dhe minuar zbatimin e ligjit duke ruajtur praktikat e përbërjes korporatiste”.
IKD ka vlerësuar se dorëheqja e anëtarit të saj, Armend Zenelaj, vetëm pak muaj para përfundimit të mandatit të rregullt, krijon dyshime se “kemi të bëjmë me dorëheqje të koordinuar, të cilat tentojnë të sabotojnë reformën në sistemin prokurorial”.
“Përkundër faktit se Ligji i ri hyn në fuqi pas 15 ditëve, z. Zenelaj nuk duhet të zëvendësohet me ndonjë anëtar të ri, në atë mënyrë që numri i anëtarëve të KPK-së të zvogëlohet gradualisht, ashtu siç parashihet me Ligjin e ri. Përgjatë periudhës dy vjeçare, KPK nuk duhet të avancojë z. Zenelaj e as ndonjë anëtar tjetër që jep dorëheqje, sepse dorëheqjet eventuale të ofruara gjatë kësaj faze deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të ri, do të mund të perceptoheshin si tentativë e KPK-së për të zgjatur mandatet sipas përbërjes korporatiste”, vlerësoi IKD. /Koha.net/