Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e disa marrëveshjeve me vlerë të përgjithshme prej mbi 200 miliardë dollarësh mes SHBA-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, përfshirë një zotim prej 14,5 miliardë dollarësh mes kompanive “Boeing”, “GE Aerospace” dhe “Etihad Airways”, shkruan Gazeta Sinjali.
Gjatë vizitës së tij disaditore në Lindjen e Mesme, Trump u zotua gjithashtu të forcojë më tej lidhjet mes dy vendeve.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi të enjten se “Etihad Airways” kishte pranuar të investojë 14,5 miliardë dollarë për blerjen e 28 aeroplanëve amerikanë – “Boeing 787” dhe “Boeing 777X” – të pajisur me motorë të “GE Aerospace”, raporton gazeta “The Guardian”.
Antonoaldo Neves, shefi ekzekutiv i “Etihad Airways”, tha muajin e kaluar se kompania planifikon të shtojë këtë vit 20 deri në 22 aeroplanë të rinj në flotën aktuale prej rreth 100 avionësh, duke synuar ta zgjerojë atë në mbi 170 njësi deri në vitin 2030.
Ndërkohë, marrëveshjet miliardëshe janë shoqëruar me polemika për shkak të një dhurate të mundshme nga Qeveria e Katarit për presidentin Trump – një aeroplan luksoz me vlerë prej 400 milionë dollarësh. Presidenti u shpreh se “do të ishte budalla po të mos e pranonte dhuratën”, ndërsa kritikët kanë ngritur shqetësime për një konflikt të mundshëm interesi dhe shkelje të etikës.