Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, u prit nga Presidenti i Deutsche Bundesbank, Dr. Joachim Nagel, në selinë qendrore të bankës në Frankfurt. Me këtë rast, Guvernatori Ismaili e informoi presidentin Nagel për zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës, për reformat institucionale dhe ato në sektorin financiar, si dhe për progresin në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit, guvernatori Ismaili gjithashtu informoi lidhur me procesin e para-aplikimit për anëtarësim në SEPA, si dhe për zhvillimet në kuadër të sistemit të pagesave të shpejta – projektin TIPS Clone me Bankën e Italisë.
“Në takim u diskutuan reformat e ndërmarra në sektorin financiar me qëllim përafrimin e rregullativës bankare të Kosovës me atë të BE-së, ku Guvernatori kërkoi mbështetjen e mëtejshme nga Deutsche Bundesbank në këto procese”, thuhet në njoftim.
Siç njopfton BQK, të dy palët diskutuan mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, veçanërisht në fushat e stabilitetit financiar, mbikëqyrjes dhe fushave të tjera me interes të përbashkët.
“Në përmbyllje të takimit, guvernatori Ismaili falënderoi Presidentin Nagel për mbështetjen e vazhdueshme që Deutsche Bundesbank ka ofruar ndaj BQK-së në ndërtimin e kapaciteteve institucionale, menaxhimin e mjeteve dhe rezervave ndërkombëtare, operimin e linjës REPO në emër të Eurosistemit, si dhe në operacione të tjera të rëndësishme”, thuhet në njoftim.
“Paraprakisht, si pjesë e agjendës së vizitës zyrtare, Guvernatori Ismaili u prit në Muzeun e Parasë të Deutsche Bundesbank nga Drejtori Dr. Ulrich Rosseaux”, thuhet në njoftim. /KosovaPress/