Italia veriore po përballet me mot të keq dhe reshje intensive që kanë detyruar autoritetet të shpallin alarm portokalli në Toskanë, Emilia Romagna dhe Lombardi për ditën e sotme, 5 maj. Sipas Mbrojtjes Civile, priten stuhi të forta, rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dheu, veçanërisht në zonat kodrinore dhe malore të Apenineve.
Në Toskanë, presidenti rajonal Eugenio Giani ka kërkuar “vëmendje maksimale” nga qytetarët, duke theksuar se strukturat e emergjencës janë gati për të ndërhyrë. Si masë paraprake, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura në disa komuna si Carrara, Aulla, Pontremoli, Fivizzano dhe të tjera në zonën e Lunigianës. Në Firence janë mbyllur parqet publike dhe zonat e gjelbra, si dhe janë ndaluar aktivitetet tregtare dhe argëtuese në ambiente të hapura.
Ndërkohë, në Ligurinë Lindore janë shënuar përmbytje të lehta dhe ndërhyrje të zjarrfikësve, por pa dëme të mëdha. Disa nënkalime në Genova janë bërë të pakalueshme për shkak të reshjeve të dendura.
Alarme më të lehta (të verdha) janë shpallur edhe në rajone të tjera si Veneto, Piemonte, Umbria, Lazio dhe Friuli Venezia Giulia. Mbrojtja Civile i këshillon qytetarët të ndjekin përditësimet zyrtare dhe të respektojnë udhëzimet për sigurinë në rast të motit të keq. (A2 Televizion)