Sot bëhen 35 vjet nga lirimi i Adem Demaçit nga burgjet e Jugosllavisë

Sot shënohen 35 vjet që nga lirimi i Adem Demaçit nga burgjet e Jugosllavisë – një figurë simbol e qëndresës shqiptare dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore në hapësirat e ish-Jugosllavisë, raporton Gazeta Sinjali.

Më 21 prill 1990, pas pothuaj tri dekadash të kaluara nëpër burgje famëkeqe si ajo e Stara Gradishkës, Demaçi u prit madhërisht nga mijëra qytetarë në Prishtinë, të cilët kishin pritur me vite kthimin e njeriut që nuk u përkul asnjëherë.

Demaçi ishte burgosur për herë të tretë më 6 tetor 1975 në Prishtinë, si pjesë e një vale të gjerë arrestimesh politike që preku shqiptarët në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe viset tjera të banuara me shqiptarë. Ai dhe 18 të tjerë u dënuan pas një procesi të montuar politik, me akuza të bazuara në dëshmi të rreme. Edhe pse i pafajshëm, Demaçi priti dënimin me buzëqeshje, i bindur se rruga e lirisë nuk ndalet me burgosje.

Pas lirimit, Demaçi nuk u mbyll në heshtje. Në intervistën e tij të parë për mediat sllovene, ai nuk shfaqi urrejtje, por zgjodhi të fliste për pajtim, barazi dhe liri për të gjithë popujt e Ballkanit. Në një fjalim në Lubjanë, ai u shpreh kundër zgjidhjeve të dhunshme dhe paralajmëroi për rrezikun që paraqiste politika shkatërruese e Millosheviqit për stabilitetin e Jugosllavisë.

Demaçi u bë zëri i ndërgjegjes kombëtare dhe morale. Ai udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nga viti 1990 deri më 1995, dhe në vitin 1991 u nderua me Çmimin Saharov për Liri të Mendimit nga Parlamenti Evropian.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, ai shërbeu si zëdhënës politik i UÇK-së, duke përfaqësuar zërin e shqiptarëve në tryezat ndërkombëtare. I njohur si “Mandela i Evropës”, Adem Demaçi mbeti një shembull frymëzimi për qëndresë paqësore dhe angazhim të palëkundur për të drejtat e njeriut. Ai ndërroi jetë në korrik të vitit 2018, por trashëgimia e tij vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e popullit shqiptar dhe përtej kufijve të tij.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Sot vazhdon seanca konstituive

Read Next

104 vjet nga Parlamenti i parë shqiptar