Pas një investimi të madh, që kap vlerën e rreth 800 milionë eurove, qendrat e ndërtuara nga Italia në Shqipëri për pritjen dhe përpunimin e emigrantëve vazhdojnë të qëndrojnë bosh.
Megjithëse këto qendra vijojnë të mbeten bosh, në vend që të rishikohet vetë koncepti mbi të cilin u ndërtuan, qeveria italiane ka vendosur t’i shndërrojë këto objekte në qendra paraburgimi për emigrantët pa dokumente – një veprim që Human Rights Watch e ka cilësuar si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë ligjore dhe morale ndaj refugjatëve, duke e zhvendosur krizën jashtë territorit të Bashkimit Evropian.
Këto struktura, si ajo në Gjadër, nuk janë më hapësira tranzitore për kërkuesit e azilit, por objekte izolimi që pasqyrojnë të njëjtin model të kritikuar prej kohësh në brendësi të Italisë.
Raportet ndërkombëtare i kanë quajtur këto qendra “vrima të zeza të së drejtës”, ku ndihma ligjore mungon, transparenca është minimale dhe rreziku për abuzime sistematike është real.
“Hapja e një qendre të tillë në Shqipëri do të kopjojë problemet e parë tashmë në Itali, si dhe do të shtojë të reja, si pengimi i ndihmës juridike, që mund të prishë përgjegjësinë kur ka akuza të besueshme për abuzim. Dhe nuk ka asgjë për të sugjeruar se ky ndryshim do t’i bëjë vendet pritëse më të prirura për të pranuar kthimet – pengesa kryesore për dëbimet”, thuhet nga Human Rights.
Për Altin Hazizajn, drejtor i CRCA/ECPAT Albania dhe aktivist për të drejtat e fëmijëve dhe të njeriut, retorika politike ndaj emigrantëve është plot absurditete dhe shërben më shumë për qëllime propagandistike sesa për zgjidhje reale.
“Ka një absurditet në të gjithë zhurmën politike apo ideologjike që bëhet kundër emigrantëve,” thotë Hazizaj për Albanian Post.
Ai thekson se nëse emigrantët informohen paraprakisht për ligjet, traditat dhe kulturën e vendit pritës, ata e kanë shumë më të lehtë të integrohen.
Për të, lëvizja për një jetë më të mirë është një e drejtë themelore e njeriut, e cila nuk duhet t’i mohohet askujt pa arsye të justifikuara.
Përveç aspektit human, Hazizaj ngre shqetësime serioze edhe për imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Në botë këtë e bëjnë shtete që janë kaq të varfra sa kanë nevojë të bëjnë pazar për të përfituar edhe nga jeta apo vuajtja e emigrantëve. Shqipëria nuk është një shtet i këtij niveli ndaj edhe të vjen keq sa shumë është keqpërdorur imazhi i saj.”
Sipas tij, është kontradiktore që vendi përpiqet të shesë veten si destinacion për turizëm elitar në Evropë, ndërkohë që pranon të hapë qendra për emigrantë të parregullt.
“Të dyja nuk shkojnë,” përfundon ai.
Në këtë kontekst, Hazizaj nuk ngurron të thotë se e ardhmja e këtyre qendrave duhet të jetë mbyllja. Ai paralajmëron se, të lëna të funksionojnë, ato mund të nxisin edhe forma të kriminalitetit të organizuar, përveçse të shkelin të drejtat themelore të njeriut.
Pikërisht këtë shqetësim ndan edhe organizata ndërkombëtare si Human Rights Ëatch, e cila thekson se hapja e një qendre të tillë në Shqipëri do të kopjojë problemet e hasura tashmë në Itali, si mungesa e ndihmës juridike dhe rreziku i abuzimeve. Në vend që të adresojnë realisht sfidat e migracionit, këto politika synojnë ta zhvendosin krizën jashtë syve të publikut dhe jashtë juridiksionit të BE-së.
Në vend që të ndjekin marrëveshje të kushtueshme dhe të dyshimta për t’iu shmangur përgjegjësive të tyre, Italia – dhe Bashkimi Evropian në tërësi – duhet të investojnë në menaxhimin e migracionit në një mënyrë humane dhe racionale./Albanianpost.com