Rritja më e lartë në Evropë në dhjetë deri në dymbëdhjetë muajt e parë të vitit 2024 u raportua nga Shqipëria (+80 për qind), ku mbërritjet u ngjitën shumë mbi shifrat e vitit 2019, sipas Barometrit të fundit Botëror të Turizmit nga UN Tourism.
Performanca e vendit tonë ndiqet nga Andorra (+35 për qind), Malta dhe Serbia (të dyja +29 për qind).
Turizmi global është rikuperuar në nivelet para pandemisë, me mbërritjet ndërkombëtare të turistëve që kanë arritur në 1.4 miliardë në 2024, vëren UNWTO-ja.
Kjo përfaqëson 99 për qind të niveleve para pandemisë, një rritje prej 11 për qind gjatë vitit 2023, e nxitur nga kërkesa e fuqishme, performanca e fortë nga tregjet kryesore burimore dhe rimëkëmbja në rajone të ndryshme.
“Disa destinacione raportuan rritje të jashtëzakonshme në të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar, gjatë nëntë deri në njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2024. Këto përfshijnë ndër të tjera, El Salvador (+206 për qind), duke fituar tre herë më shumë se në 2019, Arabia Saudite (+148 për qind), Shqipëria (+136 për qind), Serbia (+98 për qind) dhe Kanadaja (+70 për qind), të gjitha sipas valutave vendase”.
Këto vende kanë pasur gjithashtu rritje dyshifrore të të ardhurave në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, shton UN Tourism.
E gjithë Evropa tërhoqi 747 milionë vizitorë, 1 për qind mbi shifrat e vitit 2019 dhe 5 për qind më shumë nga viti në vit, mbështetur nga udhëtimet ndër-rajonale.
Eksportet e turizmit arritën një rekord prej 1.9 trilionë dollarësh në 2024, duke tejkaluar vitin 2019 me 3 për qind në terma realë.
Të ardhurat nga turizmi ndërkombëtar arritën në 1.6 trilionë dollarë, të nxitura nga rritja e shpenzimeve për turist, mesatarisht 1 mijë e 100 dollarë në 2024.
Kapaciteti ajror ndërkombëtar dhe trafiku janë rikuperuar pothuajse plotësisht, dhe nivelet globale të zënies së akomodimeve arritën në 66 për qind në fund të 2024.
Mbërritjet ndërkombëtare pritet të rriten me 3-5 për qind në vitin 2025, duke supozuar kushte të favorshme ekonomike, ulje të inflacionit dhe situata të qëndrueshme gjeopolitike.
“Në vitin 2024, turizmi global përfundoi rimëkëmbjen e tij nga pandemia, me shumë destinacione që tashmë kanë tejkaluar nivelet para pandemisë”, sipas Sekretarit të Përgjithshëm të UN Tourism, Zurab Pololikashvili.
“Rritja pritet të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2025, duke kontribuar në zhvillimin socio-ekonomik në mbarë botën. Tani është përgjegjësia jonë t’i japim përparësi praktikave të qëndrueshme, duke i vendosur njerëzit dhe planetin në qendër të së ardhmes së turizmit”. /Albanianpost.com