Vitia: Po punojmë ta rrisim cilësinë e shërbimeve shëndetësore

Sistemi shëndetësor gjatë 2024 është përballur me probleme të shumta, ku pacientët vazhdojnë të përballen me mungesë të barnave, aparaturave dhe shërbimeve. Në Qendrën Klinike Universitare dhe disa spitale të përgjithshme janë bërë renovime dhe investime në aparatura, por kërkohet të bëhet edhe më shumë punë, në mënyrë që pacientët të gëzojnë shërbime më cilësore.

Kryetari i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, Besim Kodra konsideron se përkundër se janë bërë punë të mira në shëndetësi gjatë vitit 2024, nuk është arritur të ketë ndonjë ndryshim substancial dhe ky sektor i rëndësishëm ka mungesë të rritjes së mirëqenies së pacientëve.

“Nuk mund të injorojmë se janë bërë gjëra të mira, por nuk janë bërë gjërat të cilat përmirësojnë sistemin shëndetësor. Të gjitha investimet e bëra në QKUK kanë qenë të nevojshme, nuk mund ta mohojmë… Nëse nuk kthehet fokusi në kujdesin primar, nëse nuk kthehet fokusi në pacientë e jo në sëmundjen e tij atëherë nuk mendoj se sistemi shëndetësor e ka gjetur rrugën dhe nuk mendoj se sistemi shëndetësor po merret me mirëqenien e njerëzve…Nuk ka ndryshime substanciale. Të gjitha investimet kanë qenë të mira, por ndryshime substanciale që ndryshon jetën e qytetarit dhe garantojnë që ai të ketë siguri në shëndet nuk janë bërë dhe nuk pritet”, Kodra.

Investimet në sektorin e shëndetësisë i ka mirëpritur edhe eksperti i politikave shëndetësore Liridon Bllaca i cili po ashtu konsiderohet se këto investime nuk po reflektojnë sa duhet në përmirësimin e shërbimeve mjekësore.

“Kanë qenë disa përmirësime apo zhvillime pozitive që kanë ndodhur në sistemin shëndetësor. Unë e bëj dallimin në mes të sistemit shëndetësor dhe kujdesit shëndetësor… Shumica e zhvillimeve që kanë ndodhur më 2024 janë në sistemin e kujdesit shëndetësor… 02\’54 Kanë ndodhur këto ndryshime pozitive, por a kanë reflektuar apo jo te qytetari, kjo është çështje që duhet diskutuar. Unë mendoj se jo të gjitha kanë reflektuar te qytetarët ose te kërkuesi i shërbimeve shëndetësore… 05’20 Ne po investojmë, por ato investime nuk po arrijnë te qytetari. Kemi rritje të buxhetit për shëndetësinë, GDP është rritur në krahasim me 2023, por nuk ka reflektuar te qytetarët. Është një diskrepancë në mes këtyre dy vjetëve. Sado që është rritur GDP për kokë banori në sektorin e shëndetësisë nuk janë ofrimi i shërbimeve”, potencoi ai.

Renovimet në disa klinika të QKUK gjatë 2024 po konsiderohet fasada nga kryetarja e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Tevide Imeri. Ajo thotë se përkundër pritjeve, nuk janë bërë përmirësimet e nevojshme.

“Disa investime, disa fasada, por pritjet nga kjo qeveri dhe meqenëse ka një buxhet më të lartë se të gjitha qeveritë e kaluara, pritjet tona kanë qenë shumë më të larta, andaj ka ardhur deri te zhgënjimi që nuk është investuar në shëndetësi sa duhet. Kemi problem me infrastrukturën brenda në institucionet shëndetësore, me kushtet e punës po ashtu kemi shumë probleme … 08’46 Konsideroj se nuk ka përparim në shëndetësi, sa për fasada që thirrin ministria, presin shirita jemi mësuar më. 25 vjet u bënë më, vazhdimisht secila qeveri ka dalë dhe ka prerë shirita, kanë lyer, kanë bërë fasada, kanë meremetuar, kanë ngjitur pllaka mbi pllaka që shpesh ka ndodhur edhe kjo, është një lloj kozmetike që bëhet, por në esencë mendoj që nuk ka ndonjë ndryshim që ishte dashur të duartrokitet”, tha ajo.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia për KosovaPress ka deklaruar se gjatë 2024 kanë investuar në infrastrukturë dhe pajisje të reja me qëllim të rritjes së cilësisë dhe ofrimit të shërbimeve të reja për pacientët. Ai konsideron se është rritur mirëqenia e qytetarëve fal intervenimeve që kanë bërë si ministri.

“Ne po mundohemi të investojmë në infrastrukturë, sepse ka qenë infrastrukturë e dëmtuar dhe pa investime për dekada, të investojmë në pajisje të reja në mënyrë që të jetë edhe cilësia e shërbimit, por edhe gama e shërbimeve të jetë më e gjerë. Po investojmë në barna, nga 24 që ka qenë në 70 milionë euro listën se tash është mbi gati 80 % e barnave të listës esenciale gjenden këto barna. Të gjitha këto investime janë për dy qëllime – e para, për të rritur cilësinë e shërbimeve për qytetarët e Kosovës që e meritojmë dhe e dyta, si parapërgatitje për realizimin e fondit të sigurimeve shëndetësore… Nuk mundemi ne që qytetarëve t’iu kërkojmë 3.5% nga rroga e tyre pa iu ofruar shërbime të reja dhe cilësore, shërbime meritore dhe barnave konform nevojave qysh i kanë qytetarët”, tha Vitia.

Në vitin 2024, MSH ka rinovuar disa reparte në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, Emergjencë, Onkologji, Urologji, Radiologji, derisa është përuruar edhe aneksi i Klinikës së Ortopedisë. Ndërsa, Kuvendi i Kosovës ka votuar Ligjin për Kujdesin e Detyrueshëm Shëndetësor, i cili aktualisht ndodhet në Kushtetuese.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë edhe përditësimin e radhës së listës së barnave esenciale, derisa është finalizuar lista e çmimit të barnave që i hap rrugë jetësimit të Ligjit për çmimet e unifikuara të barnave. /KosovaPress/ 

Read Previous

QKMP në Gjakovë përfundon vitin suksesshëm

Read Next

Kosova një vit nën trajnerin Franco Foda, sukses apo dështim?