Në muajin nëntor, inflacioni bazë u rrit lehtë duke shfaqur një tendencë të ngjashme me ecurinë e inflacionit mesatar në ekonomi.
Referuar të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë arriti në 2.34%, nga 2.19% që kishte për tetorin.
Në bazë vjetore inflacioni bazë ngelet në rënie. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar inflacioni bazë kishte nivelin 3.39%.
Në lidhje me përllogaritjen e tij, inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash dhe shërbimesh që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Dhe përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatje të lartë, si produktet ushqimore dhe ato energjetike.
Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.
Inflacioni bazë lidhet me presionet e brendshme inflacioniste, që në vitet e fundit janë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.
Në muajin nëntor edhe inflacioni bazë neto u rrit në 2.22%, nga 2% që kishte qenë për tetorin. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.
Prej të dhënave të Bankës së Shqipërisë rezulton se edhe inflacioni bazë ka dhënë sinjale rritjeje gjatë nëntorit, duke ndjekur ecurinë e inflacionit mesatar në ekonomi.
Referuar Institutit të Statistikave (INSTAT), për nëntorin inflacioni u rrit lehtë në 2%, nga 1.9% që kishte qenë në dy muajt e mëparshëm.
Trendi përputhet sakaq me projeksionet e Bankës së Shqipërisë, që parashikon një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit prej 3% në vitin 2025.
Javën e kaluar, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar në nivelin 2.75%.
Në analizën e raportit të fundit të politikës monetare, ecuria e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, normalizimin gradual të pritjeve për rritjen e çmimeve nga agjentët ekonomikë, si dhe nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të brendshëm.
Deklarata e fundit e këshillit Mbikëqyrës pas mbledhjes së javës së kaluar, konstaton se rënia e inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë dhe nivelet e ulëta të tij gjatë pjesës së mbetur të vitit janë diktuar nga ecuria e ngjashme e këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, nga çmimet e ulëta të artikujve bazë në tregjet botërore, si dhe nga forcimi i mëtejshëm i kursit të këmbimit.
Por nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të gjeneruar brenda ekonomisë sonë kanë pasqyruar kërkesën e lartë për mallra e shërbime dhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit.
Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë viti 2025 dhe ofrojnë një premisë të mirë për respektimin e inflacionit në horizontin afatmesëm. /Albanianpost.com