Shqipëria gati të hapë grupkapitullin e gjashtë të negociatave me Bashkimin Evropian

Shqipëria është gati të çelë zyrtarisht grupkapitullin e gjashtë të negociatave me Bashkimin Evropian, ku kapitujt kryesorë janë ato 30 dhe 31, për marrëdhëniet e jashtme dhe politikat e jashtme, siguria dhe mbrojtja.

Delegacionin shqiptar pritet ta kryesojë vetë kryeministri Edi Rama, të martën e 17 dhjetorit, kur do të zhvillohet edhe Konferenca e tretë Ndërqeveritare për vendin.

Sipas agjendës zyrtare, pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Bazat; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Agjenda e gjelbër dhe lidhje e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; dhe marrëdhëniet e jashtme.

Shqipëria ka hapur deri tani vetëm grupkapitullin e parë, atë të Themeleve dhe tashmë pritet të hapë edhe të gjashtin, duke pasqyruar kështu ecurinë tepër të shpejtë dhe pozitive të vendit një negociatat me BE-në.

Përmes raportit të fundit të Komisionit Evropian ndërkaq, është bërë me dije se Shqipëria ka bërë progres për reformat dhe ka rezultate të mira në luftën kundër korrupsionit dhe se vetë Komisioni e mbështet mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027.

“Qeveria shqiptare sinjalizoi objektivin e saj për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe Komisioni është i gatshëm të mbështesë këtë objektiv ambicioz”.

Ndër të tjera, theksohet se në Shqipëri, autoritetet kanë deklaruar vazhdimisht angazhimin e tyre të vendosur politik për integrimin në BE si prioriteti kryesor strategjik i vendit dhe kanë ruajtur një nivel të lartë ambicie për të ecur përpara në negociatat e anëtarësimit.

“Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat nën grupin themelor, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe procesin e vetingut, përfundimi i të cilit në shkallë të parë është i pashmangshëm, nëpërmjet rezultateve të mira në çështjet antikorrupsion dhe duke rritur kapacitetet e saj në hetimet financiare kundër krimit të organizuar”, tregon raporti.

Angazhimi aktiv i Shqipërisë gjatë mandatit të saj si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deri në fund të vitit 2023, si dhe të dhënat e saj të përafrimit të plotë me politikën e përbashkët dhe të jashtme të sigurisë së BE-së, “dëshmojnë për zgjedhjen e saj strategjike për anëtarësimin në BE dhe rolin e një partneri të besueshëm ndërkombëtar”.

Komisioni, gjithashtu përshëndet hapjen e negociatave mbi grupin themelor në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor, e cila shënoi një moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit.

Grup-kapitujt

Takimi i dytë i Konferencës së Aderimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë në nivel ministror u zhvillua të martën e 15 tetorit në Luksemburg, duke shënuar përparim në përpjekjen e saj të gjatë për t’u bashkuar me bllokun prej 27 vendesh.

Delegacioni i Bashkimit Evropian u kryesua nga Péter Szijjártó, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shqipëria hapi Klasterin 1, të përbërë nga pesë kapituj negociues, me Bashkimin Evropian në konferencën e saj të dytë ndërqeveritare.

Në këtë mënyrë, u bë vendi i tretë kandidat i Ballkanit Perëndimor, pas Malit të Zi dhe Serbisë, i cili hapi kapitujt e negociatave.

Shqipëria hapi zyrtarisht bisedimet e pranimit së bashku me Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2022.

Më në detaje

Zyra për shtyp e Këshillit të BE-së sqaroi në fund të konferencës ndërqeveritare se Unioni vendosi gjithashtu standarde të përkohshme.

Këto, si në nivelin horizontal për grupin, ashtu edhe për kapitujt 23 dhe 24 (kapitujt e sundimit të ligjit) të cilët do të duhej të përmbusheshin përpara se të ndërmerren hapat e ardhshëm në procesin e negociatave të këtij grupi.

Përveç kësaj, BE-ja vendosi standarde për mbylljen e përkohshme të kapitujve 5, 18 dhe 32, shtoi Këshilli i BE-së.

“Monitorimi i progresit në përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave. Konferenca e anëtarësimit do t’i kthehet këtij grupi në një moment të përshtatshëm”, shkruan në përmbyllje zyra për shtyp e institucionit evropian.

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian u dakordësuan më herët për të hapur kapitullin e parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Shqipëria vendosi të hapë pesë kapituj të anëtarësimit (të ashtuquajturit bazat) më 15 tetor, duke ndarë rrugën me RMV-në, të cilën e kishte pikënisur në verën e vitit 2022.

Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria si dhe kontrolli financiar.

Bëhet fjalë për kapitullin e parë nga 33 në përgjithësi që Shqipëria duhet t’i hapë dhe mbyllë për t’u anëtarësuar në Union.

Kapitujt e Cluster 1

Ky grup përbëhet nga pesë kapituj, të cilët do të hapen njëkohësisht, duke qenë kapitujt e parë të hapur në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar.

Kapitulli 23 mbi Gjyqësorin dhe të Drejtat e Njeriut synon të arrijë një sistem gjyqësor të paanshëm dhe efikas që garanton sundimin e ligjit dhe zbatimin efektiv të tij.

Ai synon gjithashtu të garantojë një proces të rregullt bazuar në parimet kushtetuese dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky kapitull përbëhet nga funksionimi i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore.

Pas tij vjen Kapitulli 24 për Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë, i cili synon ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të Unionit si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie.

Ai kërkon nga Shqipëria një kapacitet administrativ të fortë dhe të mirë-integruar brenda agjencive ligjzbatuese dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme.

Pjesa më e detajuar dhe më e rëndësishme është acquis i Shengenit, i cili përfshin heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm dhe lëvizjen e lirë brenda BE-së.

Lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, migrimi i ligjshëm dhe i parregullt, azili dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile janë disa nga çështjet e tij.

Kapitulli tjetër ai numër 5 – Prokurimi Publik – bazohet në respektimin e parimeve të përgjithshme të transparencës, trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë në lidhje me dhënien e kontratave publike në sektorë të veçantë.

Sakaq, kapitulli 18 mbi Statistikat kërkon respektimin e disa parimeve bazë të institucionit statistikor si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, mbrojtja e të dhënave personale si dhe publikimi periodik i statistikave zyrtare bazuar në rëndësinë e tyre për shtetin dhe individin.

Kapitulli i fundit është ai i Kontrollit Financiar, i cili fokusohet në kontrollin e brendshëm financiar publik bazuar në parimin e decentralizimit.

Aspekti unik i këtij kapitulli është se ai kërkon një organ auditimi të jashtëm të pavarur, i cili raporton periodikisht në parlamentin kombëtar në lidhje me përdorimin e fondeve publike. /Albanianpost.com

Read Previous

Verstappen: Këtë vit pata fat, në Formula 1 kemi shumë nevojë për të

Read Next

Hashim Thaçi pritet të deklarohet të martën lidhur me aktakuzën e re