Agron Kuliçaj, ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Kjo në lidhje me dosjen e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 qytetarë që po protestonin.
Numri 2 i Policisë së Shtetit në kohën e Qeverisë Berisha do të japë sqarime për veprimet e efektivëve në atë ngjarje.
Një ditë më parë ishte në SPAK ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj,
Në një prononcim të shkurtër për mediat, Burgaj deklaroi se ka dhënë sqarime si person që ka dijeni.
Ai u shpreh se ka zbatuar vetëm urdhrat.
“Dhashë sqarime si person qe ka dijeni për ngjarjet e 21 janarit. Plani i masave është 50 faqe, nuk mund t’i komentoj. Policia ka bërë një plan të detajuar masash dhe ka zbatuar ligjin. Kam zbatuar ligjin. Nuk kemi pasur asnjë urdhër për të reaguar. Policia ka duruar dhunë ekstreme dhe nuk ka përdorur as armë dhe as dhunë ndaj protestuesve. Urdhër arrestet janë ekzekutuar ”.
Çfarë ndodhi më 21 janar
Më 21 janar 2011, qytetarë të thirrur nga Partia Socialiste protestuan para Kryeministrisë.
Protesta po zhvillohej kundër korrupsionit, pas skandalit me videon Meta-Prifti ku flitej për një koncesion.
Asokohe, Garda e Republikës, nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve, duke vrarë katër njerëz dhe plagosur gjashtë të tjerë.
Gjykata, më herët vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe për këto dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me tre vite.
Familja e Aleks Nikës, më herët njoftoi se, ka dërguar çështjen në Strasburg, me shpresën se Gjykata Evropiane do të japë drejtësi.
Rihapja e dosjes
Ka qenë policia e Tiranës, e cila më 21 janar 2021, në 10-vjetorin e ngjarjes, ka kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e “21 janarit”.
Kjo nëpërmjet një letër-kërkese drejtuar Prokurorisë.
Në letër u kërkua ri-ekspertim hetimor për caktimin e drejtimit të qitjes gjatë vrasjes së Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, si dhe plagosjen e Fatos Mahmutajt, Sokrat Godes, Erald Boshas, Artes Dybelit, Ilia Qeskos dhe Ilia Papas.
Gjithashtu, aty shkruhet se duhet ri-ekspertim i plumbit të gjetur në trupin e Aleks Nikës dhe të ripyeten personat që kanë dijeni kryesisht ish-efektivë dhe efektivë të gardës që ishin në shërbim më 21 janar. /Albanianpost.com