Kanë qenë mbi 5 mijë, shtetasit shqiptarë, të cilët janë kthyer në vend, pasi janë kapur me qëndrime jo të rregullta në Evropë, brenda gjashtë muajve të parë të vitit.
Sipas një publikimi të fundit nga Agjencia Evropiane e Statistikave, Eurostat, vetëm në vendet e Bashkimit Evropian, ka pasur mbi 4 mijë shtetas shqiptarë, të cilët janë kapur dhe kthyer në vendin e origjinës.
Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme shqiptare ka bërë me dije se 1 mijë e 120 shtetas të tjerë shqiptarë, janë riatdhesuar nga Britania e Madhe drejt Shqipërisë, pas një marrëveshjeje të firmosur nga dy shtetet.
Kështu raporton Zëri i Amerikës në një publikim të fundit.
Sipas autoriteteve të Bashkimit Evropian vetëm një e katërta e shtetasve shqiptarë janë kthyer vullnetarisht, pas një urdhri policor të lëshuar, ndërsa pjesa tjetër janë riatdhesuar në Shqipëri nën shoqërimin e Policive të vendeve evropiane dhe Policisë shqiptare.
Sipas të dhënave të Eurostat, 3 mijë e 85 shtetas shqiptarë janë riatdhesuar të shoqëruar nga Policia përmes transportit ajror apo kufijve tokësorë, 650 janë kthyer vullnetarisht ndërsa 265 janë asistuar nga organizatat ndërkombëtare në kthimin vullnetar me mbështetjen për sigurimin e kostos së transportit.
Nga ana tjetër, 1 mijë e 120 shtetasit shqiptarë të kthyer nga Anglia janë shoqëruar që të gjithë nga forcat policore të të dy vendeve, në 25 operacione riatdhesimi të kryera përmes transportit ajror.
Sipas të dhënave të Eurostat-it, pjesa më madhe e kthimeve të detyruara të shqiptarëve ka ndodhur nga Greqia, Franca, Gjermania dhe Italia.
Të dhënat tregojnë se vitin e shkuar u riatdhesuan në Shqipëri 8 mijë e 135 shtetas shqiptarë me qëndrim jo të rregullt në një nga vendet e Bashkimit Evropian.
Për nga numri shqiptarët, gjatë dy viteve të fundit, renditen të dytët pas gjeorgjianëve në operacionet e riatdhesimit të vendeve të Bashkimit Evropian për të huajt e parregullt. /Albanianpost.com