Eksperti i futbollit amerikano-jugor, Tim Vickery, ka përmendur Alejandro Garnachon si lojtarin që mund të zëvendësojë Lionel Messin në kombëtaren e Argjentinës. Garnacho ka qenë në formë të shkëlqyer për Manchester United gjatë dy sezoneve të fundit. Me tërheqjen e Angel Di Marias nga përfaqësuesja dhe dëmtimin e Messit, Garnacho mund të luajë një rol të rëndësishëm për Albiceleste-n.
Garnacho nuk ishte titullar në dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës kundër Kilit dhe Kolumbisë. Në fitoren 1-0 ndaj Kilit, ai hyri në lojë si zëvendësues i Lautaro Martinez në minutën e 79-të dhe asistoi për golin e tretë të Paulo Dybala.
Në një intervistë për talkSPORT, Vickery theksoi se skuadra e parë e Argjentinës në kualifikueset e shtatorit për Kupën e Botës paraqet një vizion për të ardhmen.
Ai tha: “Messi është i dëmtuar dhe nuk dihet sa gjatë do të luajë ende. Kjo është një shenjë për të ardhmen e Argjentinës, me Julian Alvarez në rolin e Messit. Pa Messin dhe Di Marian, skuadra ka nevojë për një lojtar që mund të driblojë, të thyejë linjat dhe të bëjë diçka të veçantë.”
Vickery gjithashtu përmendi Garnachon si një kandidat për të mbushur boshllëkun e Messit: “Mendoj se Garnacho po përgatitet për një sezon të madh me United. Ai mund të jetë zëvendësuesi i Messit; ndoshta fillimisht nga stoli, por ai është një opsion serioz. Ky sezon mund të jetë shumë i rëndësishëm për të.”
Lionel Messi është aktualisht i përqendruar në rikuperimin nga një dëmtim i kyçit të këmbës, i pësuar gjatë finales së Copa America 2024 kundër Kolumbisë. Argjentinasi pritet të kthehet për Inter Miami në fund të muajit dhe mund të jetë gati për ndeshjet kualifikuese të Argjentinës për Kupën e Botës në tetor. /Telesport.al/