Lizarazu: Mbappé nuk është më vendimtar, as i frikshëm si në të kaluarën

Kylian Mbappé shpresonte t’i karikonte si duhet bateritë dhe të shijonte ditë të qeta me kombëtaren, pas një fillimi të vështirë të sezonit në Madrid. Dopieta ndaj Betisit, në ndeshjen e fundit para angazhimit me kombëtaren, pothuajse zgjidhi gjithçka, por “Les Bleus” e nisën keq në Ligën e Kombeve, duke humbur 3-1 në Paris, kundër Italisë.

Një disfatë që prodhoi shumë kritika ndaj ish-lojtarit të PSG-së, kapitenit të skuadrës së Deschamps. Bixente Lizarazu, ish-mbrojtës krahu i kombëtares transapline, komentoi në “L’Equipe”: “Konferenca për shtyp e Kylian Mbappé të enjten më befasoi dhe më turpëroi. Fjalët e përdorura ishin të papërshtatshme, jo ato të një lideri, aq më pak ato të një kapiteni.

Nuk mund të jesh i pandjeshëm ndaj ndjenjave të tifozëve të Francës, ndaj zhgënjimeve që mund të kenë ata, ndaj pikëpyetjeve që mund të kenë specialistët e fushës. Duhet të përpiqesh t’iu përgjigjesh atyre, të japësh shpresë. Kjo është pjesë e punës, në futboll vlen shumë lidhja emocionale që duhet të kesh me audiencën tënde”.

Ky ishte komenti i kampionit të botës në lidhje me fjalët e Mbappe, i cili kishte deklaruar se nuk mendonte fare për pritjen që do t’i rezervonin në “Parc des Princes”, stadiumin e PSG, pas largimit të tij kësaj vere falas te “Los Blancos”.

“Është pasojë e një situate tepër konfliktuale me ish-klubin e tij, gjatë së cilës aspekti jo sportiv kishte përparësi ndaj atij sportiv, – vijoi Lizarazu. – Ka momente në karrierën tuaj kur duhet të ndaloni, të përqendroheni përsëri te vetja.

Mendoj se kapiteni i Francës po kalon një moment të vështirë. Versioni më i mirë i Mbappé ndoshta daton në Kupën e Botës 2022 dhe ky është ai që duam. Sot nuk është më shpërthyes dhe vendimtar si në të kaluarën”. /Telesport.al/

Read Previous

‘La Nacion’: Pesë atraksionet turistike të paharrueshme në Shqipëri

Read Next

Maqedonci për konkursin e FSK-së: I shërbeni atdheut, do të keni mundësi të zhvilloni një karrierë të sigurtë