Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama publikoi këtë të hënë të 3 qershorit klasifikimin ndërkombëtar të muajit prill për rritjen e numrit të pasagjerëve nga ajri, krahasuar me vitin 2019 (para pandemisë), ku rritja e Shqipërisë vazhdon me ritmet më të larta.
“Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur”, u shpreh ai, teksa publikoi raportin e Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (ACI) për muajin prill 2024.
“Edhe prilli me rritje mbresëlënëse, sepse Shqipëria e rilindur turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur, ndërkohë vetëm sytë e disa shqipove që nuk duan të shohin nuk e shohin, po më mirë kështu se na mbrojnë nga syri i keq”, deklaroi.
Kryeministri u ndal dhe në efektet pozitive në ekonomi, nga shtimi i numrit të turistëve që po vizitojnë vendin.
Kreu i qeverisë shtoi se fluksi i lartë rrit edhe krenarinë e dinjitetin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Ndërkohë rriten të ardhurat në ekonominë familjare të kujtdo që ka lidhje me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit, rriten investimet në infrastrukturën e mikpritjes, rriten punësimi dhe pagat në sektorin e shërbimeve, rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit pa rritur taksa, rritet edhe krenaria e dinjiteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, theksoi Rama.
Sipas statistikave të publikuara nga ACI mbi trafikun e pasagjerëve krahasuar me vitin 2019, për muajin prill të këtij viti Shqipëria shënon një rritje prej 260.8%.
Në vitin 2023, aeroporti i Tiranës trajtoi 7.26 milionë pasagjerë, 40% më shumë se një vit më parë, tha më herët operatori i aeroportit.
Operatori i aeroportit tashmë po punon për zgjerimin e aeroportit në disa drejtime për të akomoduar një numër më të madh të pasagjerëve sidomos gjatë verës, tha Et’hemaj.
Shqipëria kapërceu 10 milionë turistë të huaj deri në fund të vitit 2023, një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2022, sipas një deklarate të mëparshme të ministrisë së turizmit. Shqipëria kishte një popullsi prej rreth 2.7 milionë banorë që nga fillimi i vitit 2023, tha zyra e statistikave.
Shefqet Kastrati, CEO i operatorit të aeroportit Kastrati Group, tha në nëntor se kompania është vetëm në gjysmë të rrugës së investimit të planifikuar prej 100 milionë euro (108 milionë dollarë) në aeroport.
Në tetor, operatori i aeroportit zbuloi planet e zgjerimit për të krijuar kapacitet për një bazë të re të mundshme për kompaninë irlandeze me kosto të ulët Ryanair, e cila filloi të përdorë aeroportin e Tiranës vitin e kaluar.
Parashikimi i ACI-së
Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë ky vrull i vazhdueshëm i trafikut ajror ka nxjerrë në pah aeroportet të cilët po fuqizohen gjithnjë e më shumë sa i përket fluksit të pasagjerëve, siç është edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit.
ACI ka publikuar edhe përditësimin e tij të parë dyvjeçar të kërkesës për udhëtime ajrore të vitit 2024, duke tërhequr të dhëna nga mbi 2 mijë e 600 aeroporte në më shumë se 180 vende dhe territore në mbarë botën.
Trafiku global i pasagjerëve në vitin 2024 parashikohet të kapërcejë nivelin e 2019-s për herë të parë që nga COVID-19, duke arritur në 9.7 miliardë pasagjerë ose 106% të nivelit të 2019-ës (12% norma e rritjes vjetore).
Norma e rritjes pritet të ngadalësohet gradualisht në vitet në vijim, pasi më shumë tregje rikuperohen nga efektet e COVID-19.
Faktorët makroekonomikë, si inflacioni i lartë global, ngadalësimi i PBB-së globale, nivelet pesimiste të besimit të biznesit dhe konfliktet gjeopolitike paraqesin rreziqe dhe pasiguri të konsiderueshme në parashikimet e ardhshme./Albanianpost.com