Haradinaj: Pa rezolutë të OKB-së për gjenocidin në Kosovë, drejtësia mbetet përgjysmë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradianj, ka thënë se pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, për krimet e gjenocidin në Kosovë, e vërteta dhe drejtësia për mijëra viktima mbeten përgjysmë.

Këto komente, Haradinaj i bëri përmes një postimi në Facebook, një ditë pasi që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

“Autorët e krimit e gjenocidit, të kudondodhur, duhet ta marrin dënimin. Varrezat masive, masakrat, ekzekutimet e mijëra qytetarëve, dhunimet dhe përndjekja e një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, s’mund të kenë emër tjetër përpos gjenocid”, shkroi ish-kryeministri.

Sipas ish-kryeministrit, Rezoluta e OKB-së për Srebrenicën, “është një hap i madh i pranimit të së vërtetës për mizoritë serbe në Bosnje, që duhet përshëndetur”.

“E vërteta dhe drejtësia do të jenë më të plota, atëherë kur të pranohet se edhe në Kosovë pati gjenocid”, përfundoi ai.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi të enjten rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Rezoluta për Srebrenicën kaloi me 84 vota në favor, kundër 19 dhe 68 abstenime.

Rezoluta për Srebrenicën që u miratua mes kundërshtimit të ashpër të presidentitet serb, Aleksandër Vuçiç, dënon mohimin e gjenocidit të kryer nga serbët më 11 korrik 1995, përkundër se në rezolutë nuk përmendet as Serbia, as Republika Sërpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së | + / Për – / Kundër X / Abstenim

Në Srebrenicë, forcat serbe të udhëhequra nga krimineli Ratko Mlladiç vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë në korrik të vitit 1995. E përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Kroacia – votuan në favor të rezolutës së hartuar nga Gjermania e Ruanda. /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA-ja do të njoftojë një tjetër paketë ushtarake për Ukrainën

Read Next

FIFA kërkon miratimin e rregullit të ri jashtë loje, Wenger në mesin e promotorëve