Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale sa i takon tubimit të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e nesërme, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës.
Kështu, policia njofton se ditën e nesërme, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës.
“Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe. Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime”, njofton policia.
Më tej shton se policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.
Kujtojmë se tensione të shumta e shoqëruan protestën e fundit përballë Bashkisë Tiranë, ku u kërkua rishtazi dorëheqja e Erion Veliajit nga drejtimi i kryeqytetit.
Opozita, siç kishte paralajmëruar, ka zënë vend përpara hyrjes së Bashkisë dhe ka nisur fillimisht një tubim të qetë, ku retorika e vetme ishte ajo e akuzave për kompaninë 5D, e cila e hetuar nga SPAK ka dërguar disa drejtorë të Bashkisë në hetim.
Por, me kalimin e minutave, situata është tensionuar dhe pas frutave e vezëve të hedhura ndaj godinës së Bashkisë, vendi i është lënë molotovëve.
Kjo tashmë një gjë “normale” për protestat e opozitës, pasi edhe në dy tubime të tjera të shkuara, ka pasur sulme të tilla ndaj institucionit.
Në nisje të protestës, u mësua po ashtu se Policia pati ndaluar dy protestues, të cilët kishin në zotëm mjete piroteknike. Por, sa duket, nuk kanë mundur t’i ndalojnë të gjitha këto mjete.
Nga ana tjetër, sa i takon retorikës së përdorur, ishte ish-kandidati për kryetar të Bashkisë Tiranë nga radhët e opozitës, Belind Këlliçi, ai i cili foli për aksionin.
Këlliçi theksoi se aksioni opozitar nuk do të ndalet dhe se do të kërkohet audit ndërkombëtar i paanshëm, që qytetarët të ketë të dhënat për buxhetin e bashkisë së Tiranës.
“2-3 miliardë euro të menaxhuara nga Veliaj dhe qytetarët duhet të dinë se ku kanë shkuar taksat be tyre. Ata që fusin duart në xhepat e qytetarëve të Tiranës duhet të mbajnë përgjegjësi, pak rëndësi ka se kush janë ata”.
Nga ana tjetër, regjisori Edmond Budina, i angazhuar prej kohësh në protesta kundër Bashkisë Tiranë, ka kërkuar të ketë mosbindje civile.
“Jemi ne populli që vuajmë mbi kurriz ato që bëjnë këto mafiozë. Të mbyllen rrugët dhe të mbyllen dyqanet derisa këta të shporren, të ketë mosbindje civile derisa të largohen. Ne do përballemi siç jemi përballur në të gjithë këta vite. Kam thirrje edhe për vëllezërit tanë të policisë. Mos reagoni kundrejt qytetarëve, por mbroni të drejtën tuaj”, përmendi Budina në një fjalë përpara protestuesve.
Teksa, në tensionet dhe protestat e mëparshme, ka pasur edhe kërkesë për përmbajtje nga ndërkombëtarët, duke dënuar aktet e dhunës karshi institucioneve.
Ambasada e Italisë në Tiranë ka dënuar më parë aktet e dhunës të kryera gjatë protestës së zhvilluar para Bashkisë Tiranë.
“E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, shkruhet në një postim në platformën X – dikur Twitter.
Edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe Ambasada Amerikane në vend kanë dënuar dhunën gjatë protestës së opozitës para bashkisë Tiranë.
“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”, thotë BE-ja.
Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.— EU in Albania (@EUinAlbania) April 19, 2024
Delegacioni thekson se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.
Gjithashtu, Ambasada e Shteteve të Bashkuara nënvizoi se e drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët.
🇦🇱 Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për… pic.twitter.com/MAmA4FMM7c— USEmbassyTirana (@USEmbassyTirana) April 19, 2024
“Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune”.
Ambasada përshëndeti zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme./Albanianpost.com