Sot është dita e parë e pranverës.
Në Kosovë, dita e parë e pranverës ka zbardhur me mot me borë dhe me temperatura të ulëta.
Reshjet e borës, të një intensiteti të dobët, kanë nisur dy ditë më parë.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sot pritet të mbajë mot i vranët dhe me reshje bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -1 deri 0 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-3 gradë Celsius.
Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperëndimit me shpejtësi 1-5m/s.
Sipas Institutit, kjo situatë meteorologjike do të ndikojë pozitivisht në cilësinë e ajrit, kështu që edhe kushtet biometeorologjike paraqiten relativisht të mira për një shtresë të popullatës ndërsa mot i pafavorshëm për një shtresë të popullatës me probleme kronike.
Një mot i paqëndrueshëm paraqitet edhe në pjesën e parë të javës së ardhshme, thekson Instituti.