Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Shemsedin Dreshaj ka deklaruar se Kosova vazhdon të mbetet vend i vetëm në Evropë dhe rajon pa sigurime të mirëfillta shëndetësore, për çfarë tha se shpresa në këtë çështje kishte vetëm në vitin 2014.
Në seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohet propozim-rezoluta për gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore, Dreshaj tha se vetëm Somalia është në një situatë të ngjashme sikur Kosova. Teksa ka konsideruar se vendi duhet të ketë ligjin për shëndetësi sa më parë.
“Kjo seancë është ftuar bazuar në rrethanat… me vite me radhë në shëndetësi, që të debatojmë dhe shterojmë mundësitë lidhur me gjendjen në shëndetësi dhe sigurimet shëndetësore në vend. Vazhdojmë që të jemi vendi i vetëm në rajon dhe Evropë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore, me sa e di unë vetëm edhe Somalia është në një situatë të ngjashme. Ngritja e sistemit të shëndetësisë në Kosovë kishte filluar të ngjallte shpresa me miratimin e ligjit në Prill të vitit 2014, me qëllim të sigurimit të qasjes universale të qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në shërbime kualitative shëndetësore. Fatkeqësisht ende pa filluar implementimi i këtij ligji, në fillim të vitit 2016 fillon saga e plotësim ndryshimit të këtij ligji, dhe që nga ky vit e deri më sot janë themeluar rreth shtatë komisione dhe grupe të punës të cilat asnjëherë nuk kanë mundur ta përmbyllin një finalizim të mirëfilltë”, tha Dreshaj.
Ai ka thënë po ashtu se sa i përket situatës me numrin e të punësuarave, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Kosovës, është krahasimisht shumë më keq se gjitha vendet e rajonit. Për çfarë tha se edhe për këtë vit nuk është parë të ketë rritje të këtij numri.
“Në momentin e themelimit të Fondit ka filluar fuqizimi i kapaciteteve njerëzore. Në vitin 2017 përveç të punësuarave në AFSH, ka realizuar punësim me ç’rast numri është arritur në 37, ndërsa deri në vitin 2018 janë bërë 43. Ky numër pothuajse është edhe sot, e që në krahasim me fondet në regjion, ky numër është shumë i vogël, minor. Vetëm ju përkujtoj që Maqedonia me 2 milionë e gjysmë banorë, ka numrin 400 që punojnë në këtë drejtim, Mali Zi me rreth 600 mijë banor, ka 250, ndërsa Kroacia që ka rreth 4 milion, 1300 të punësuar në këtë drejtim. Pra, sa i përket situatës me numrin e të punësuarave, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore i Kosovës, është krahasimisht shumë më keq se gjitha vendet e rajonit. Për vitin 2024, sipas Ligjit të buxhetit nuk është paraparë shtimi i numrit të të punësuarave në fond, sfidë paraqet jo vetëm numri i të punësuarave, por edhe kualiteti i tyre, sepse sistemi i edukimit nuk ofron resurse të gatshme për sistemin e sigurimeve shëndetësore. Prandaj, edukimi kompleks kërkon kohë dhe kosto shtesë”, shtoi Dreshaj.
Dreshaj ka thënë po ashtu se edhe situata me infrastrukturën fizike ka ngecur.
Sipas tij, ndikim të fuqishëm në këtë drejtim, do të ketë edhe fakti se pas qershorit, hyhet në periudhën e ngushtë të zgjedhjeve parlamentare, derisa shtoi se në këtë formë interesi dhe përkushtimi do t’i bie.
“Miratimi i ligjit në Kuvend, do të marrë më shumë kohë, dhe nëse një gjë e tillë arrihet deri në qershor të 2024, do ta konsideroja një sukses shumë të madh. Ndikim të fuqishëm do të ketë edhe fakti se pas qershorit të këtij viti, hyjmë në periudhën e ngushtë të zgjedhjeve parlamentare, kështu që interesi dhe përkushtimi do t’i bie. Ligji për sigurime shëndetësore pritet të ndodhë këtë vit, por me miratimin e këtij ligji, çdo gjë nuk është e përmbyllur. Ky ligj kërkon shumë rregullore që duhet të dalin dhe udhëzime administrative, këto kërkojnë kohë të mjaftueshme dhe ekspert të nevojshëm”, ka thënë Dreshaj.
Mes tjerash, ai ka shtuar se edhe financimi i sektorit të shëndetësisë së paku sipas ligjit aktual, do të realizohet në formë mikës nga buxheti dhe kontributet. Seanca e jashtëzakonshme është propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). /KosovaPress/