Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimi në Komisionin për Integrime Evropiane, të premten ka bërë të ditur se Kosova ka dërguar një raport 48 faqesh për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Bashkimit Evropian dhe secilit shtet anëtarë të Unionin.
Por, ky raport, sipas tij, nuk mund të publikohet nga Qeveria e Kosovës, por Prokuroria.
Prandaj ai ka kërkuar sikur Qeveria e Kosovës ashtu edhe partitë opozitare të bëjnë presion Prokurorisë për sa i përket publikimit të këtij raporti.
“Ne po bëjmë presion publik, bëni edhe ju të publikohet raporti, na ndihmoni që prokuroria ta publikojë raportin, ta nxjerr fletëarrestin për Radojçiçin dhe për të gjithë kriminelët e tjerë”.
Sa kohë që Radojçiçi sillet i lirë dhe Serbia nëpër kampet ushtarake të saj përgatit dhe trajnon të ri nga Kosova, sipas Bislimit, rreziku i sigurisë do të jetë permanent.
Duke folur për Masat e BE-së, Bislimi, ka thënë se janë vendosur për shkak të eskalimit në datën 29 maj për të cilën në Bruksel është menduar se ka përgjegjësi edhe Qeveria e Kosovës dhe janë vendosur me synim të de-eskalimit.
“Çfarëdo mase shtesë që kalon këto korniza është keqpërdorim i instrumentit dhe i masave i BE-së për me arrit ndonjë qëllim tjetër për të cilën është vështirë të diskutohet me Qeverinë e Kosovës”.
Bislimi ka thënë se Kosova ka kryer obligimet të cilat i ishin dhënë për të larguar masat e vendosura nga BE-ja.
Ai ka thënë se ka paqartësi te vendet anëtare rreth situatës në Kosovë, por se ka edhe presion nga të tjera që të hiqen.
“Me gjasë ka paqartësi brenda vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave. Por, ka frustrim e presion edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm sepse ka dërguar katër kryetarë komunash në zyrat e tyre, ndërsa Serbia nuk ka masa edhe për shkak të agresionit terrorist që ka bërë”, ka thënë ai. /Albanianpost.com