Tensionet në Detin e Kuq, rritet çmimi i naftës

Çmimet e naftës u rritën me 4% pasi SHBA dhe Britania e Madhe nisën përgjigjet në Jemen lidhur me sulmet e fundit nga rebelët Houthi mbi anijet në Detin e Kuq.

Nafta e papërpunuar Brent arriti në 80 dollarë për fuçi për herë të parë këtë vit pasi rebelët e mbështetur nga Irani u zotuan të hakmerren kundër veprimeve ushtarake nga fuqitë perëndimore.

Ndërsa çmimi u rrit, ai është nën nivelet e arritura kur Rusia pushtoi Ukrainën.

Por qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka frikë se nëse përhapet ndërprerja në trafikun e mallrave, një tjetër goditje energjie është e mundur.

Media britanike “BBC” ka kuptuar se Thesari ka modeluar skenarë duke përfshirë rritjen e çmimeve të naftës së papërpunuar me më shumë se 10 dollarë për fuçi dhe një rritje prej 25% të gazit natyror.

Të premten, Brent Crude – standardi ndërkombëtar për çmimet e naftës për pjesën më të madhe të botës – arriti në 80.55 dollarë për fuçi ndërsa nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor të SHBA u rrit me 2.71% në 74.73 dollarë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e shqetësuar se sulmet e vazhdueshme ndaj transportit detar në Detin e Kuq mund të rëndojnë mbi ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar, ku rritja mbetet e brishtë.

Çmimet më të larta të energjisë rrezikojnë të nxisin inflacionin ashtu siç ka filluar të ngadalësohet. Ndërkohë, kostoja e transportit të kontejnerëve në anije është rritur, që do të thotë se kompanitë mund të zgjedhin t’ua kalojnë këtë shpenzim konsumatorëve.

Kryeministri Rishi Sunak tha se sulmet kishin shkaktuar “ndërprerje të madhe në një rrugë jetike tregtare dhe çmime [të larta] të mallrave”.

Por Simon French, kryeekonomist i Panmure Gordon, vuri në dukje se çmimet e energjisë janë ende dukshëm më të ulëta se sa ishin katër muaj më parë.

“Në këto nivele, në fakt është mjaft disinflacioniste për ekonominë e Mbretërisë së Bashkua”, tha ai.

Ai shtoi se kur Banka e Anglisë të marrë vendimin e saj të radhës për normat e interesit në shkurt, çmimet e naftës ka të ngjarë të jenë ende rreth 20% më të ulëta se sa ishin në vjeshtë.

Rebelët Houthi në Jemen kanë shtuar sulmet ndaj anijeve tregtare që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas në tetor. Shtetet e Bashkuara thanë se kishte pasur 27 sulme në Detin e Kuq që nga mesi i nëntorit.

Grupi ka përdorur drone dhe raketa kundër anijeve në pronësi të huaj që transportojnë mallra përmes ngushticës së Bab al-Mandab – një kanal 20 milje i gjerë që ndan Eritrenë dhe Xhibutin në anën afrikane dhe Jemenin në Gadishullin Arabik.

Anijet zakonisht marrin këtë rrugë kryesore tregtare nga jugu për të arritur në Kanalin e Suezit të Egjiptit më në veri. Shumë kompani tani po dërgojnë anije përreth Kepit të Shpresës së Mirë, një rrugë që shton të paktën 10 ditë udhëtim. /Albanianpost.com

Read Previous

Mësohet vendimi i Mo Salah për transferimin e tij në Superligën e Arabisë Saudite

Read Next

2 mijë e 23 gjoba trafiku brenda 24 orëve