Këtë të premte të 22 dhjetorit, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, do të jetë në një vizitë zyrtare në Shqipëri ku do të ketë një takim edhe me kryeministrin e vendit, Edi Rama, për të folur rreth çështjes së marrëveshjes mes dy vendeve për emigrantët.
“Më 22 dhjetor do të jem në Shqipëri dhe do të takoj kryeministrin Edi Rama”.
Këtë e bëri të ditur Tajani, në margjinat e Konferencës së Ambasadorëve në Farnesina.
Duke shtuar se do të vizitojë “vendet ku do të mbahen emigrantët që do të duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës”, si pjesë e marrëveshjes së nënshkruar me Tiranën.
Qeveria italiane, ritheksoi ai, nuk shqetësohet për pezullimin e ratifikimit dhe gjithsesi ekziston dëshira “për të mos ndërhyrë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese shqiptare”.
Në Shqipëri, Tajani do të vizitojë edhe ushtarët e Guardia Finanza-s, si dhe në Mal të Zi, për të uruar të gjithë ushtarët e angazhuar jashtë vendit që janë “pjesë e politikës së jashtme”.
Marrëveshja
Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.
Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.
Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.
Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.
Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.
Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.
Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.
Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.
Po ashtu, në dokumentin e firmosur përcaktohet se afati maksimal i qëndrimit të një emigranti nuk mund të jetë më i madh se koha e nevojshme për procedurat e azilit dhe mbrojtjes.
Në përfundim të procedurave, sipas nenit 9, është pala italiane që kryen me shpenzimet e saj largimin e migrantëve nga Shqipëria.
Shqipëria do shoqërojë emigrantët me policinë e saj dhe do vërë në dispozicion sipas rastit forcat e armatosura. /Albanianpost.com