Hulumtuesi i marrëdhënieve ndërkombëtare në Westminster University, Aidan Hehir, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e përdor Kosovën për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen atje.
Hehir ka thënë se Vuçiq nuk është aq i fuqishëm sa e paraqet veten, për shkak se ai është tërhequr pas presionit të NATO-s për t’i larguar trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën.
Mirëpo sipas tij, duhet pasur kujdes, pas asaj që ka ndodhur në Banjskë, për çka thotë se Vuçiq do duhej të ndëshkohej, në të kundërtën këto raste përsëriten në të ardhmen.
Profesori britanik ka thënë se po të ishin përfshirë shqiptarët në një sulm të tillë ndaj serbëve, Kosova do të ndëshkohej direkt.
“Zgjedhjet po afrohen ne Serbi dhe Vuçiq tani dëshiron të tregoj se sa i fortë është ai para serbëve. Vuçiq, gjithashtu e përdor Kosovën për ta larguar vëmendjen nga problemet e brendshme që ka Serbia. Por në të vërtetë ai nuk është edhe aq i fuqishëm sa e paraqet veten sepse kur NATO i ka bërë presion që t’i largojë trupa nga kufiri, ai është tërhequr. Megjithatë konsideroj se duhet pasur kujdes sepse e pamë çfarë ndodhi në Banjskë. Kësaj radhe Serbia nuk do të duhej të shpëtonte pa u ndëshkuar për sulmin në Banjskë sepse gjëra të tilla mund të ndodhin sërish në të ardhmen nëse nuk ka ndëshkim. Imagjinoni tani se çfarë reagimi do të kishte nëse shqiptarët do të përfshiheshin në ndonjë sulm të tillë ndaj serbëve, Kosova do të ndëshkohej direkt”, ka thënë Hehir për Tëvë1.
Kujtojmë se më 24 shtator, si pasojë e një konfrontimi me armë me një grup terrorist serb në Banjskë të Zveçanit, ka humbur jetën rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe ka mbetur i plagosur zyrtari policor, Alban Rashiti.
Të vrarë kanë mbetur edhe tre nga terroristët serb që morën pjesë në agresionin e dhunshëm, teksa disa të tjerë u arrestuan, por shumica prej mbi 80 sosh ikën nga vendi i ngjarjes.
Kosova ka fajësuar Serbinë se organizoi sulmin terrorist, gjë që u mohua nga Beogradi zyrtar, të cilët thanë se kjo ishte revoltë e serbëve lokalë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, Milan Radoiçiq, i cili mohoi se ka marrë ndonjë ndihmë nga Beogradi.
Pas sulmit në Banjskë, Serbia grumbulloi trupa ushtarake në kufi me Kosovën – gjë që u dënua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, të cilat e cilësuan si “veprim shumë destabilizues”.