OSBE: Të gatshëm të ofrojmë këshilla për udhëzimin administrativ të MAPL për zgjedhjet në veri

Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) i tha RTV21 së është i gatshëm që ta këshillojë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në procesin e hartimit të udhëzimit administrativ për zgjedhjet në pjesën veriore të Kosovës.

Misioni tha këtë gatishmëri e ka në përputhje me mandatin e tij dhe në përgjigje të çdo ftese nga ministria.

“Misioni i OSBE-së mori njoftimin para dy javësh të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për krijimin e Grupit Punues për hartimin e “Udhëzimit administrativ për përcaktimin e procedurave për nismat qytetare për shkarkimin e kryetarëve të komunave”. Misioni në Kosovë është i gatshëm të ofrojë këshilla në këtë fushë në përgjigje të çdo ftese nga Ministria dhe në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në përgjigje.

Tutje në përgjigje, OSBE-ja tha se Misioni nuk ka ndihmuar drejtpërdrejt për institucionet e Kosovës në organizimin e zgjedhjeve, gjë që sipas tyre, “pasqyron kapacitetin dhe kompetencën e shtuar të institucioneve të Kosovës që punojnë në këtë fushë”.

“Që nga viti 2017, OSBE-ja nuk ka ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për institucionet e Kosovës në organizimin e zgjedhjeve në Kosovë. Kjo pasqyron kapacitetin dhe kompetencën e shtuar të institucioneve të Kosovës që punojnë në këtë fushë, duke përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe mbështetjen e qëndrueshme nga Misioni i OSBE-së në Kosovë gjatë shumë viteve. Që nga viti 2017, Misioni ka ndihmuar institucionet e Kosovës përgjegjëse për zhvillimin e zgjedhjeve me këshilla dhe mbështetje për reformën zgjedhore, si dhe me mbështetje teknike dhe trajnime”, thuhet në përgjigje, shkruan Gazeta Express.

Read Previous

Jetmir Topalli debuton me gol te Manisa

Read Next

BQK: Qytetarët e Kosovës rreth 50 për qind të shpenzimeve të udhëtimit i harxhuan në Shqipëri