KE-ja konfirmon ndërprerjen “e përkohshme” të fondeve bujqësore për Shqipërinë

Komisioni Evropian ka zyrtarizuar ndërprerjen e përkohshme të rimbursimeve ndaj Shqipërisë në kuadër të programit “IPARD II”.

Lajmi u konfirmua për “Albanian Post” nga një zëdhënëse e Komisionit.

“Në këtë fazë, Komisioni Evropian ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin paraprak të dhënë nga OLAF. Në veçanti, si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, thekson reagimi i KE-së.

Institucioni evropian ka vendosur të mos komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) lidhur me zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri.

“Hetimi i OLAF është në vazhdim”, shtoi zëdhënësja Roberta Verbanac. “Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare në përputhje me rrethanat dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Shqipëri nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga Albanian Post.

Çfarë është IPARD II?

IPARD II është Instrumenti i Bashkimit Evropian për Asistencën e Para-Aderimit për zhvillimin e bujqësisë, agropërpunimit dhe agroturizmit.

Më 29 tetor të 2018 Shqipëria u përgatit të niste aplikimet që u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve vendas akses në fondet e BE-së pasi Komisioni Evropian dha zyrtarisht dritën jeshile për fillimin e zbatimit të IPARD II.

IPARD II u mundësonte fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare të kishin akses në 71 milionë euro të financuara nga BE-ja për periudhën 2014-2020 – e cila do të plotësohet me 23 milionë euro nga qeveria shqiptare.

Kjo, duke vënë në dispozicion gjithsej 94 milionë euro fonde për investime në bujqësi dhe zhvillimin rural.

Tre fushat e mbuluara nga IPARD II përfshinin investimet në asetet fizike të njësive bujqësore, përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit dhe diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

Reagimet

Pas këtyre zhvillimeve, reaguan edhe aktorë të ndryshëm opozitarë.

Ish-kryeministri Sali Berisha mendon se këto fonde janë pezulluar për shkak të vjedhjes.

“Sot njoftohet se Komisioni Evropian pezulloi për shkak të korrupsionit, fondet për bujqësinë shqiptare. Për shkak të vjedhjes dhe shpërdorimit nga kleptokratë të parave të BE që janë jetike për bujqësinë shqiptare. Por këto para shpërdorohen dhe vidhen nga agjencitë qeveritare shqiptare”, u shpreh ish-kryedemokrati.

Berisha i bëri thirrje Komisionit Evropian që “në interesin më të mirë të shqiptarëve por edhe të taksapaguesve evropianë”, të hetojnë çdo projekt në infrastrukturë në Shqipëri.

“KE-ja ka financime të mëdha. Bypass-i i Vlorë është krejtësisht vepër e tyre dhe shume projekte të tjera. Pra, është një lajm i mirë kjo, optimist për shqiptarët, sepse institucioni hetimor i BE veproi dhe vendosi. Është e rëndësishme shumë që të dalë në pah i gjithë korrupsioni shqiptar në përmasat e tij”, theksoi ish-kryeministri i vendit.

Nga ana tjetër përfaqësuesja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi e quajti këtë vendim të përkohshëm të Komisionit Evropian si “një drejtësi të vonuar”.

“Drejtësia vonon por nuk harron! Kur ka opozitë të pa blerë dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, ka gjithmonë shpresë për shqiptarët. Vendimi i BE-së për fondet e bujqësisë ishte i ditur, i denoncuar prej meje qysh në maj 2022. Kush ka ngjyer gishtin me incenerarorët do të marri edhe reston. Bye…”, theksoi Kryemadhi.

/albanianpost/

Read Previous

Një muaj paraburgim ndaj “Lizës”, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës

Read Next

Toka është mbështjellë nga gazi, NASA publikon videon, ndotja shkakton të nxehtin ekstrem