Pse BE-ja heziton të sanksionojë vendet e treta?

Kur vendet e Bashkimit Evropian më në fund miratuan paketën e fundit të sanksioneve të bllokut kundër Rusisë më 23 qershor, ndoshta veçoria më interesante ishte një kornizë e re kundër anashkalimit që synonte vendet e treta.

Megjithëse kjo kornizë për momentin mbetet shumë bosh.

Ajo tani i ka dhënë Brukselit mjetet ligjore për të bërë dy gjëra.

Si fillim, të hartojë një listë të produkteve të realizuara në bllok që besohet se dërgohen në Rusi nëpërmjet vendeve të treta.

E dyta të hartojë një regjistër në të cilin vendet e treta mund të emërtohen dhe kështu nuk do të jenë më në gjendje të importojnë gjëra nga BE-ja.

Kjo lëvizje, në teori, do ta afrojë BE-në me “sanksionet dytësore” që Shtetet e Bashkuara po aplikojnë tashmë në mbarë globin – një kornizë e krijuar për të parandaluar ose kufizuar vendet e treta nga tregtia me vendet që i nënshtrohen sanksioneve amerikane.

Dhe ka pak dyshim se mjeti i ri i BE-së mund të jetë i dobishëm në të ardhmen.

Estonia, Letonia, Lituania dhe Polonia kanë theksuar të gjitha se, në vitin 2022, eksportet e mallrave të mundshme me përdorim të dyfishtë – artikuj që mund të përdoren si për qëllime civile dhe ushtarake – në Kazakistan, Kirgistan dhe Uzbekistan u rritën më shumë se 62 për qind.

I dërguari i BE-së për zbatimin e sanksioneve, David O’Sullivan, gjatë muajve të fundit ka udhëtuar gjerësisht në Azinë Qendrore dhe vende të tilla si Armenia dhe Gjeorgjia.

Kjo, për të dhënë mesazhin se artikujt, ose pjesë të tyre, të importuara nga BE në vende të tjera janë gjetur në pajisjet ushtarake ruse dhe armët e përdorura në luftën e saj kundër Ukrainës.

Një zyrtar i lartë i BE-së me njohuri për këtë çështje, duke folur në kushte anonimiteti, vuri në dukje se “po shohim anashkalim”.

“Shikoni të dërguarin dhe ku po udhëton. Ka prova që diçka po ndodh”.

Pyetja e madhe, megjithatë, është nëse BE-ja do ta përdorë ndonjëherë këtë instrument.

Mendohet se nuk do të ndodhë, dhe se listat do të mbeten bosh.

Pothuajse të gjithë zyrtarët e BE-së thonë në thelb të njëjtën gjë: është një masë e fundit, që mund të përdoret vetëm kur të gjitha gjërat e tjera kanë dështuar – veçanërisht, diplomacia më intensive.

Si dëshmi, ata tregojnë për vende si Serbia dhe Gjeorgjia që, pavarësisht refuzimit të tyre për t’u lidhur me sanksionet e BE-së ndaj Moskës – madje deri në pikën e lejimit të fluturimeve ruse të zbarkojnë në tokën e tyre – ende nuk janë përballur me ndonjë pasojë negative nga Brukseli për veprimet e tyre.

Së fundi, është çështja e unanimitet, e cila është e nevojshme për çdo listim në këtë kuadër të ri.

Një nga arsyet e skepticizmit është se Gjermania, e mbështetur veçanërisht nga Italia, punoi shumë për ta bërë tekstin e sanksioneve për këtë çështje.

Disa zyrtarë të BE-së të njohur me këtë çështje më thanë se Gjermania ishte e prirur të hiqte mundësinë e listimit të vendeve të treta specifike.

Kur paketa e sanksioneve me këtë propozim u prezantua për herë të parë nga Komisioni Evropian në fillim të majit, në Bruksel kishte shpresa se do të miratohej mjaft shpejt.

Megjithatë, u deshën gati dy muaj për të arritur një marrëveshje, kryesisht për shkak të insistimit të vazhdueshëm të Berlinit për sqarime të ndryshme.

Duke parë tekstin origjinal, siç është propozuar nga Komisioni Evropian, dhe versionin përfundimtar të rënë dakord nga vendet anëtare, është e qartë se sa e vështirë do të jetë të bëhet diçka.

Dhe është e qartë se BE-ja së pari do të shterojë të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion përpara se të propozojë ndonjë masë kufizuese. /Albanianpost.com

Shkruar nga redaktori i “Radios Evropa e Lirë” për Evropën, Rikard Jozwiak

Read Previous

Alarm në Nju Jork, rritet numri i personave që sulmohen nga peshkaqenët në plazh

Read Next

Katër klube dhe dy lojtarë: Lista me emrat që Barcelona u ka borxh miliona euro