Rreth 257 pako me rreth 90.000 kokrra vezë, pa dokumente përkatëse, janë zënë duke kaluar kufirin nga Kosova për në Serbi.
Kështu ka njoftuar policia e Kosovës në një komunikim për medie.
“Më 12.03.2023 rreth orës 20:40 njësitë policore nga policia kufitare gjatë mbajtjes së një pike kontrolli kanë ndaluar një automjet transportues me targa të Serbisë në të cilën ndodheshin i dyshuari A.S. drejtuesi i mjetit mashkull shtetas i Serbisë dhe pasagjeri J. A. shtetas i Serbisë”, raporton policia e Kosovës.
“Gjatë legjitimimit të tyre është vërtetuar se të njëjtit kanë tentuar të bëjnë kalim ilegal të vendkalimit kufitar nga Republika e Kosovës në drejtim të Serbisë, ku me këtë rast po ashtu është realizuar një kontroll tek personat e lartcekur dhe në kamionin e tyre janë gjetur rreth 257 pako me rreth 90.000 kokrra vezë për të cilat të dyshuarit nuk posedonin dokumente përkatëse”.
Policia ka bërë të ditur se automjeti i ngarkuar me vezë është dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë Jug, ndërsa “pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”. /Albanianpost.com