Gerald Knaus, kryetari i Iniciativës Evropiane të Stabilitetit dhe njohës i mirë i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian në raport me procesin e dialogut.
Sipas tij BE-ja në këtë fazë nuk po i ofron asgjë Kosovës përveç presionit.
“Këto nuk janë realisht bisedime të ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto janë bisedime ndërmjet BE-së (SHBA) dhe secilës prej këtyre të dyjave veç e veç”. Çfarë i ofron BE-ja Serbisë? Pothuajse asgjë. Çfarë i ofron BE-ja Kosovës? Presion, por as njohje nga të 27-të”, shkruan fillimisht Knaus në rrjetin e tij social në Twitter.
Në vend të kësaj, Knaus beson se BE-ja duhet t’u ofrojë Kosovës dhe Serbisë shpërblime të vërteta.
“Një proces të bazuar në merita për t’u bashkuar me tregun e saj të vetëm, për të gëzuar katër liri dhe për të kapur hapat si Rumania apo Baltiku”, shton ai.
Kosova dhe Serbia të hënën, sipas shefit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, kanë pranuar propozimin e Bashkimit Evropian apo gjerësisht i njohur ndryshe si propozimi franko-gjerman, që tash e tutje do të quhet Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Albanianpost.com