Liqeni i Prespës është habitati natyror i mijëra specieve, disa prej të cilave janë unike.
Për shkak të humbjes graduale të ujit, liqeni rrezikon të humbasë biodiversitetin.
Paçka përpjekjeve në rritje për ta shpëtuar, situata duket jashtëzakonisht e ndërlikuar
Liqeni i Prespës, referuar ekologëve, është një habitat i çmuar ujor dhe vend biodiversiteti. Megjithatë, një biodiversitet i tillë është tani në rrezik të madh për shkak të rënies afatgjatë të nivelit të ujit.
Një numër i madh studimesh kanë treguar disa arsye për këtë fenomen. Problemi ka nisur dekada më parë, por është intensifikuar kohët e fundit.
Një nga problemet kryesore është lidhja e Liqenit të Prespës me Liqenin e Ohrit. Uji nga Liqeni i Prespës derdhet në liqenin e Ohrit, sepse i pari ndodhet në lartësinë 853 metra, ndërsa i dyti në 695 metra.
Meqë të dy sistemet kanë lidhje nëntokësore uji, njëri derdhet ngadalë te tjetri.
Një nga arsyet kryesore të rënies së nivelit të ujit të Liqenit të Prespës është nevoja për ujitje të kulturave bujqësore, e cila arrin në 35 milionë metër kub ujë në vit.
Hulumtimi i Institutit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencës në Shkup ka vënë në dukje përdorimin e (pa)kontrolluar të plehrave artificiale dhe veçanërisht pesticideve rreth liqenit.
Po ashtu ndotje shtesë shkaktohet nga mbetjet e ngurta që hidhen në ujëra, pasi në brigjet e liqenit ka një sasi të madhe mbeturinash që hidhen edhe në lumenjtë që rrjedhin përfundimisht në liqen.
Ndryshimet klimatike, nga ana tjetër, kontribuojnë në uljen e nivelit të ujit.
Të gjitha këto arsye kanë çuar në ndryshime katastrofike në ekuilibrin kimik dhe fizik të ujit në liqen dhe në uljen e sasisë së oksigjenit, apo edhe mungesën e tij në shtresat më të thella të ujit.
Çka kërcënon mbijetesën e specieve të kafshëve në liqen, shtëpia e specieve të shumta endemike.
“Për shkak të tërheqjes së ujit, liqeni i Prespës tani ka një thellësi prej vetëm 15 metrash dhe shtresave më të thella u mungon oksigjeni për shkak të eutrofikimit gjatë verës. Oksigjeni është kusht për jetë dhe pakësimi i tij do të çonte në zhdukjen e jetës në liqenin e Prespës”.
Kështu kanë paralajmëruar ekspertët e Institutit Hidrobiologjik.
Dhjetëra mijëra vjet më parë, niveli i liqenit ishte gjithashtu i ulët, por në atë kohë nuk kishte një presion kaq të fortë njerëzor.
Kurse humbja aktuale e ujit ka pasoja të mëdha sepse ndodh në një periudhë të shkurtër kohore (nga pikëpamja gjeologjike) dhe shoqërohet me ndotje.
Sakaq, numri dhe diversiteti i specieve është tipari kryesor i diversitetit biologjik të liqenit të Prespës. Në të kaluarën, ai ishte 28.6 kilometra i gjatë, 16 kilometra i gjerë dhe deri në 76 metra i thellë.
Është shtëpia e rreth dy mijë llojeve të kafshëve dhe bimëve (duke përfshirë 50 kafshë endemike dhe 19 bimë endemike), mbi 200 lloje zogjsh dhe 23 lloje peshqish, duke përfshirë nëntë endemikë.
Liqeni i Prespës përbëhet nga dy liqene të ndërlidhura, Liqenet e Prespës së Madhe dhe të Vogël në kufirin midis Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Shqipërisë.
Ai është pjesë e territorit të Komunës së Resnjës. Pjesa e Maqedonisë së Veriut është rreth 761.6 kilometra katrorë, e Greqisë 321.6 kilometra katrorë dhe e Shqipërisë 266.8 kilometra katrorë.
Për shkak të karakteristikave specifike hidrologjike, hidrobiologjike dhe gjeomorfologjike, peizazheve natyrore, veçantisë, bukurisë natyrore të zonës dhe pasurive të tjera, liqeni u shpall zonë e mbrojtur në Maqedoninë e Veriut në vitin 2011.
Ndërkohë, përpjekjet për të shpëtuar liqenin kanë vazhduar për dekada.
Qysh në vitin 2000 është nënshkruar një deklaratë e përbashkët ndërmjet Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë, e cila themeloi një Trup Koordinues ndërkufitar të Liqenit të Prespës për të koordinuar projektet e mbrojtjes.
Ndihma ka ardhur edhe nga organizata të ndryshme ndërkombëtare si PNUD përmes Fondit Global të Mjedisit.
Po zbatohen projekte për futjen e sistemeve për të kontrolluar përdorimin e mbetjeve artificiale dhe pesticideve në prodhimin e mollëve.
Gjithashtu fermerët e mollëve u trajnuan për të përdorur teknika të reja të kursimit të ujit. Si rezultat, vërehet një ulje prej 60 për qind në sasinë e ujit të përdorur për ujitje.
U prezantua edhe një projekt për përdorimin e mbetjeve të biodegradueshme për përdorim në bujqësi si zëvendësim i plehut artificial.
Në vitin 2020 u bë një plan veprimi dhe u formua Organi Drejtues i Parkut të Prespës dhe menaxhimit ndërkufitar të ujërave me qëllim që një grup ekspertësh nga të tre vendet të kryqëzonin të dhënat dhe të punonin së bashku për të shpëtuar liqenin.
Por këto grupe nuk janë takuar ende.
Në dhjetor 2022, ambasadori i BE-së David Geer njoftoi se do të rritet ndihma financiare për Prespën, duke përfshirë impiantet e trajtimit të ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbetjeve të ngurta, si dhe aktivitete të tjera për promovimin e turizmit dhe mbrojtjen e mjedisit.
Po ashtu edhe ndihmë për biznese të ndryshme që veprojnë në këtë rajon, si fermerët e mollëve.
Kështu, shtrirja e liqenit në tre vende krijon një shans për bashkëpunim ndërkufitar me mbështetjen e fondeve të BE-së, një element shprese për të shpëtuar këtë burim ujor. /Albanianpost.com