Sot nëntë vite më parë ishte njëra prej ditëve më të rëndësishme në histori të sportit të Kosovës, ku u thye izolimi dhe diskriminimi shumëvjeçarë i sportit dhe sportistëve tanë.
Data e sotme shënon nëntë vite nga anëtarësimi i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC).
KOK u anëtarësua në IOC, në sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën shumë federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare.
“Në këtë ditë të veçantë për gjithë lëvizjen olimpike në vend, shfrytëzoj rastin të përgëzojë gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në ndërkombëtarizimin e KOK-ut, por edhe gjithë atyre që sakrifikuan vetën dhe familjet e tyre për të mbajtur gjallë sportin tonë.
Mirënjohës pa fund edhe ndaj IOC-ut me presidentin Thomas Bach, për vendimin e marrë, falë të cilit sot sportistët tanë gëzojnë të drejtën e barabartë të garimit dhe pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike dhe jo vetëm”, u shpreh Ismet Krasniqim president i KOK-ut.
Tri medaljet e arta olimpike nga xhudo, shumë të tjera në Kampionate Botërore, Evropiane e Mesdhetare, dhe së fundi marrja e organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, janë dëshmi se përkundër që jemi vend i ri dhe i vogël në lëvizjen olimpike botërore, ne e dimë rrugën e podiumeve të ngjarjeve më të mëdha dhe organizimit të nivelit më të larta.