Ecuria e pandemisë COVID-19 në Kosovë po vazhdon të karakterizohet me rritje të përditshme të rasteve të reja pozitive. Brenda një periudhe të shkurtër situata epidemiologjike është rënduar edhe në komunën e Gjakovës, respektivisht në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda”. Drejtori i këtij institucioni, Hilmi Shala ka bërë të ditur se aktualisht janë të hospitalizuar 103 pacientë prej tyre 71 janë të konfirmuar pozitiv. Nëse ky numër në ditët në vijim shënon rritje atëherë sistemi shëndetësor do të ngarkohet ka thënë tutje Shala.
Disa nga pacientët që rezultojnë pozitiv janë të vaksinuar me doza të vaksinës anti-covid e të cilët po e kalojnë më lehtë trajtimin.
Nëse rritet numri i rasteve pozitive spitali “Isa Grezda” ka mjaftueshëm shtretër në dispozicion mirëpo ka mungesë të specialistëve sikurse në të gjitha institucionet tjera shëndetësore.
Nga Instituti Kombëtarë i Shëndetësisë Pulike të Kosovës thonë se nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellur me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit. Për ndërprerjen e valës së infektimeve qeveria e Kosovës ka vendosur masat e reja kufizuese të cilat do të hyjnë në fuqi nga data 20 gusht deri më 1 shtator.