33 aktakuza për 89 persona për krime të luftës në Kosovë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur 33 aktakuza ku përfshihen 89 persona për krime lufte në Kosovë. Ndërkaq, për rastin e masakrës së Mejës, deri më tani janë ngritur 53 aktakuza të strukturuara në tri pjesë. Ndërsa, për masakrën e Dubravës, nën hetim janë 88 të pandehur. Kështu u tha në një konferencë për media nga prokurorët e Prokurorisë Speciale.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se do të vazhdojnë të punojnë pa u ndalur në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Ai shtoi se drejtësia do të funksionojë për të gjithë, pa dallim përkatësie nacionale.

“Prokurorët tanë po punojnë me shumë përkushtim përkundër sfidave që hasin në sigurimin e provave dhe dëshmive. Përkundër faktit se ka kaluar një kohë e konsiderueshme dhe janë krijuar vështirësi për një punë sa më të suksesshme në identifikimin e kryerësve dhe kapjen e tyre për t’i sjellë para drejtësisë. Me këtë rast dua t’i siguroj gjithë qytetarët e Republikë së Kosovës, se Prokuroria Speciale do të vazhdojë të punojë pa u ndaluar në hetimin dhe ndjekjen e të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me krimet e luftës, përkundër vështirësive që na presin… Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe në të ardhmen me përkushti8min më të madh për të bërë drejtësi dhe nuk do të vjen në shprehje në asnjë mënyrë, asnjë përkatësi nacionale, qoftë serb, qoftë shqiptar, boshnjak po malazez. Drejtësinë do ta bëjmë barabartë për të gjithë”, tha Isufaj.

Ndërkaq, prokurorja Drita Hajdari tha se për rastin e masakrës së Mejës, në aktakuzë janë të përfshirë 53 persona, derisa shtoi se aktakuza është strukturuar në tri pjesë.

Hajdari potencoi se pjesa e parë përfshinë grupin e pesë të pandehurve që e kanë planifikuar masakrën, pjesa e dytë përfshinë 11 të pandehurë, që në bashkëpunim me grupin e parë kanë hartuar planin. Ndërkaq, shtoi se në pjesën e tretë janë të përfshirë 37 të pandehurë, që sipas saj, janë ekzekutorë direkt që kanë kryer masakrën ose kanë kontribuar në të.

Ndër të tjera, prokurorja Drita Hajdari foli edhe për rastin e vrasjeve në fshatin Rekë e Keqe, në Gjakovë, derisa theksoi se hetimi i prokurorisë speciale vërteton se në fund të prillit të vitit 1999, ishte zhvilluar një operacion sistematik i ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përcjellë edhe me grupe paramilitare. Ajo potencoi se në këtë operacion mbetën të vrarë 370 civilë.

“Sa i përket aktakuzave, ju njoftoj se deri më tani prokurorët vendor kanë ngritur gjithsej 33 aktakuza me 89 persona. Me marrjen e kompetencave ishim të ballafaquar me probleme të shumta e sidomos me rrethanën se kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë. Shumica e tyre janë në Serbi, ndërsa viktimat dhe dëshmitarët janë në Kosovë… Për masakrën në Mejë, në aktakuzë janë akuzuar gjithsej 53 persona. Aktakuza është e strukturuar në tri pjesë. Pjesa e parë e aktakuzës përfshinë grupin e pestë të pandehurë, që kanë planifikuar masakrën. Pjesë e dytë e përfshinë grupin prej 11 të pandehurve, të cilët në bashkëpunim me grupin e parë, kanë startuar planin për masakrën e Mejës. Grupin e tretë prej 37 të pandehurve përbëjnë ekzekutorët direkt, të cilët kanë kryer masakrën ose në ndonjë mënyrë tjetër kanë kontribuar kësaj masakre. Hetimi i Prokurorisë Speciale vërteton nëse në periudhën 27-29 prill 1999, ishte zhvilluar një operacion sistematik i përbashkët dhe mirë i organizuar i ushtrisë Jugosllave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, përcjellur edhe me grupe paramilitare. Në atë operacion janë vrarë 370 civilë, që nuk merrnin pjesë në luftim në momentin e vrasjes. Viktimat ishin nga fshatrat e trevës Reka e Keqe”, tha Hajdari.

Ndërsa, prokurori, Ilir Morina tha se për rastin e masakrës së Dubravës, nën hetim janë 88 të pandehur, derisa shtoi se ky hetim po vazhdon për një kohë të gjatë.

Ai potencoi se një i pandehur është në paraburgim, derisa theksoi se masakra e Dubravës, nuk përfundon me këtë aktakuzë, por që po mbledhin faktet dhe po procedojnë me provat e tjera.

“Nën hetim në rastin masakrës së Dubravës janë 88 të pandehur, dhe ky hetim është duke vazhduar për një kohë të gjatë sepse është një lëndë e trashëgua nga misioni i EULEX-it…Për momentin vetëm një të pandehur e kemi në paraburgim dhe urgjenca e procedimit të çështjes së këtij të pandehurit është arsye ligjore për faktin se në një hetimi është dy vjeçar, dhe brenda vjetëve duhet të kryejmë një ‘krim lufte;, është sfidë të kryhet një krim lufte aq më tepër një masakër siç është e Dubravës për dy vjet, por këto i kemi mundësitë ligjore. Dhe brenda kësaj mundësie ligjore, është sfida e dytë, është paraburgimi…Me ligj paraburgimi është 12 muaj, tani edhe ky dy vjeçi shkurtohet, afati i hetimit për një vit, që i bie për një vit është dashur të kryhet një punë kolosale që të jemi gati proceduralisht dhe ta ngrisim një aktakuzë ndaj këtij të pandehuri. Për të pandehurit e tjerë vazhdojnë hetimet. Maskara e Dubravës nuk përfundon me këtë aktakuzë. Ne jemi duke i vazhduar hetimet”, potencoi Morina.

Ndërkaq, në këtë konferencë, kryeprokurori, Blerim Isufaj pranoi disa pyetje nga gazetarët, që kishin të bëjnë më pozitën e tij dhe lidhur me inicimin e futjes së Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në listën e Interpolit, por i njëjti nuk ka dhënë përgjigje.

Isufaj u pyet nëse Prokuroria Speciale, ka mungesë të prokurorëve që merren e krime të luftës, për çka tha se shpreson që ky numër të rritet që të ardhmen. /KosovaPress/

Read Previous

Detaje nga aksidenti tragjik në Venecia, ku humbën jetën dy shqiptarë

Read Next

​Juventusi përgatitet të ndërpresë kontratën me Pogban