4 të arrestuarit që dyshohen se i shkaktuan mbi 300 mijë euro dëm Telekomit të Kosovës

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar katër persona të dyshuar për keqpërdorimin e një kontrate mes Telekomit të Kosovës dhe një operatori ekonomik.

Në mesin e të arrestuarve janë ish-drejorët, Trim Musliu dhe Armend Osaj.

Burimet brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë i kanë thënë Sinjalit se në prangat e policisë kanë rënë edhe vëllai i Trim Musliut, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman, ish-këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i Pozitës apo Autoritetit Zyrtar”, “Përvetësim në detyrë” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Burime brenda prokurorisë bëjnë të ditur se Musliu dhe Osaj kanë keqpërdorur për përfitime personale një kontratë në mes të Telekomit dhe një operatori ekonomik, vlera e të cilës arrinte në 327 mijë e 514 euro.

Ndërkaq, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman dyshohen se kanë përpiluar dhe firmosur dokumentet e falsifikuara dhe me përmbajtje të rreme, në emër të personave të tjerë.

Sinjali mëson se katër të dyshuarit janë intervistuar dhe prokurori i rastit ka urdhëruar që të njëjtit të dërgohen në mbajtje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali

Read Previous

Vazhdojnë sot ndeshjet për kualifikime në Botërorin “Katar 2022”

Read Next

Kurti takon përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara, i falënderon për vaksinat