Kryetarja e subjektit politik Alternativa, Mimoza Kusari-Lila thotë se ideja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për qeveri trancizionale nuk është e mirë as për qytetarët dhe as nuk i sjell dobi vendit, raporton KosovaPress.
Deputetja Kusari-Lila e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit garoi në listën e Lëvizjes Vetëvendosje tha se në këto momente fokusi duhet të jetë tek procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Nuk është në rregull, ne në fakt duhet të kemi një qeveri e cila përbënë pozitën dhe opozitën të përfilltë për funksionimin e demokracisë llogaridhënia është bazë. Prandaj, të pasurit të gjitha partitë bashkë në qeverisje nuk e besoj që është në të mirë as të qytetarëve dhe as që do t’i sjell ndonjë dobi vendit. Megjithatë, unë mendoj se para se të shkojmë tek ajo pikë tek diskutimi për koalicionin qeverisës duhet fokusuar tek ajo se çfarë po ndodh me procesin në Kuvend në vazhdimësi çdo 48 orë ne jemi duke mos pasur kuorumin për votim procedural përkundrejt faktit që po del se është kandidatja apo propozimi i LVV-së që po dështon nuk është ashtu. Ju e dini që po dështon votimi për formimin e komisionit për votimin e fshehtë“, tha ajo.
Kusari-Lila pak para se të nis seanca për konstituim të Kuvendit të Kosovës e cila po mbahet për herë të 12-të tha se për zhbllokim të ngërçit politik duhet diskutime të mëtutjeshme me subjektet politike.
“E para e punës është zhbllokimi i këtij procesi që kemi mbetur në mes dhe pastaj vazhdojmë me tema të tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjen politike… Opsioni tjetër është diskutimi i mëtutjeshëm me subjektet politike, natyrisht edhe me deputetët, e para e më e rëndësishmja është zhbllokimi i situatës aktuale. Konstituimi i Kuvendit mua më vjen keq që në vend që të dëgjoj zgjidhje dëgjojmë deri tek deklarimet morbide të nënkryetarit të LDK-së që i duket sikurse po hynë në varreza në Kuvendin e Kosovës….Alternativa është krijimi i shumicës e cila do të siguron funksionimin e mirëfilltë të Kuvendit dhe Qeverisë“, tha ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në ora 10:00, në përpjekjen e dymbëdhjetë për konstituimin e institucionit ligjvënës, shkruan KosovaPress.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka refuzuar koalicionin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa ka kërkuar një qeveri tranzicionale deri në zgjedhjen e presidentit të vendit në vitin 2026. /KosovaPress/