Prej se u emërua në krye të Kombëtares së Kosovës në futboll në muajin shkurt 2024, trajneri Franco Foda ka regjistruar pesë fitore dhe pesë humbje, derisa nuk arriti ta fitojë grupin 2 në ligën C të Ligës së Kombeve, objektiv ky i vendosur nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Megjithatë, trajnerët dhe analistët e futbollit konsiderojnë se ardhja e Foda në krye të “Dardanëve” ka sjellë ndryshime në aspektin organizativ dhe taktik të lojës.
Analisti Arsim Plepolli thotë për KosovaPress se tashmë nën urdhrat e Foda nuk ka më lojtarë të paprekshëm.
“Unë mendoj që Foda është për momentin trajneri i duhur i kombëtares sonë, sepse ka sjell diçka, përveç lojës së parë, mendoj që ka gabuar në aspektin taktik 4-4-2 dhe nuk na eci. Ai e ka menduar këtë për të mirë, por çfarë më pëlqen tek ai është se po shihet që është një dorë e hekurt, sepse edhe po i bënë disa zëvendësime që trajnerët tanë pak i kanë lënë si nën hije, tani ky pa problem e largon Muriqin, Zhegrovën, Rashicën. Kjo tregon që me të vërtetë është duke bërë një punë të mirë”, theksoi Plepolli.
Edhe pse pranon se solli disa ndryshime pozitive, trajneri Granit Begolli thotë për KosovaPress, se Foda ka dështuar objektivin kryesor për të cilin ishte emëruar në krye të kombëtares.
“Ndryshimi vërehet, ka seriozitet më shumë, qasja e lojtarëve është tjetër. Kemi parë te trajnerët më herët lojtarë të pazëvendësueshëm, ndërsa te Foda nuk është, pasi që ai e ka koncentruar fuqinë më shumë te grupi se tek individët… Realisht, nëse e marrim si ecuri, ne nuk e kemi arritur objektivin, kemi dështuar për shkak se i kemi dhënë vetes objektiv që ta fitojmë grupin në dy ndeshje që i kemi pasur kryesore, përjashto këtë ndeshjen e fundit që kemi bërë një paraqitje të mirë, prapë nuk kemi arritur të fitojmë, do të thotë me kundërshtarin direkt një fitore një barazim, po flas në fushën e lojës sepse dihet që e kemi humbur ndeshjen në tavolinë. Kështu që në përgjithësi duke u nisur edhe nga kualifikueset më herët mund ta cilësojmë një përparim ndoshta, por jo një sukses për të thënë që kemi arritur diçka edhe nën drejtimin e Foda”, ka thënë Begolli.
Trajneri Genc Sermaxhaj ka besim se e ardhmja e kombëtares në futboll do të jetë shumë më e mirë me Foda dhe se Kosova mund të sigurojë kualifikimin në evropian dhe botëror.
“Unë mendoj që trajneri Foda ka bërë paraqitje jashtëzakonisht të mira dhe me mënyrën se si futbollistët e Kosovës janë paraqitur. Natyrisht, se ka pasur mundësi për më shumë dhe më mirë, por nganjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç planifikohen. Megjithatë, trajneri Foda ka dëshmuar se është shumë i mirë dhe cilësor, dhe me praninë e tij edhe në kualifikimet e radhës për botëror e evropian që do t’i kemi në vijim, besoj se do të kemi paraqitje edhe më të mira, e pse jo ndoshta edhe ndonjë kualifikim të mundshëm,” tha Sermaxhaj.
Nën drejtimin e Franco Foda, kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshjet e radhës në Ligën e Kombeve në mars kundër Islandës. /KosovaPress/