29-vjeçari bëhet trajneri më i ri në top-pesë ligat evropiane

Carlos Cuesta shkroi histori kur u emërua trajner i Parmas, të enjten mbrëma. 29-vjeçari është bërë trajneri më i ri në Serie A për gati një shekull dhe trajneri i dytë më i ri në elitën italiane të futbollit në histori.

Me origjinë nga Spanja, Cuesta nisi karrierën si trajner tek Atletico Madridi, në moshë shumë të re. Ai iu bashkua Arsenalit në vitin 2020, ndërsa punoi si asistent i Mikel Artetas për pesë vjet. 

Parma njoftoi se Cuesta tani ka nënshkruar kontratë për dy vjet, me opsion për vitin e tretë.

Cuesta ka përvojë në futbollin italian. Ishte asistent i trajnerit në ekipin U17 të Juventusit për dy vjet. Edhe tek Atletico Madridi ka punuar me të rinjtë.

Cuesta do të ketë 30 vjet e 26 ditë kur të debutojë në ndeshje zyrtare te Parma. Do të debutojë pikërisht ndaj Juventusit. Ai e zëvendëson Cristian Chivun, që mori drejtimin e Interit. Me Chivun, Parma siguroi mbetjen në Serie A.

Vetëm Elio Loschi ishte pak më i ri se që Cuesta është aktualisht, kur mori drejtimin e Triestinas në maj të vitit 1939.

Cuesta tani është trajneri më i ri në top-pesë ligat evropiane të futbollit. Ai ishte dorë e djathtë e Artetas tek Arsenali, pasi kishte vendosur në moshë shumë të re se e ardhmja e tij në futboll është si trajner e jo si lojtar. 

Tek Arsenali ishte i njohur për bisedat individuale me lojtarë. Ai ishte specializuar në zhvillimin individual të lojtarëve, me fokus te aftësitë teknike dhe principet taktike.

Cuesta i flet gjashtë gjuhë, duke përfshirë italishten, kurse pos Artetas i kishte lënë përshtypje edhe Federico Cherubinit, tani shef ekzekutiv te Parma, kur të dy ishin te Juventusi.

Spanjolli llogaritet njëri prej trajnerëve më premtues në futbollin evropian, kurse ishte i kërkuar edhe nga skuadra të tjera.

Trajneri i dytë më i ri aktualisht në top-pesë ligat evropiane është gjermani i Brightonit, 32-vjeçari Fabian Hurzeler. Në vendin e tretë është Merlin Polzin i Hamburgut, që i ka 34 vjet. 37-vjeçari Claudio Giraldez është i katërti në listë. Ai është 37-vjeçar, sa edhe Inigo Perez i Rayo Vallecanos.

I gjashti në listë është Sandro Wagner i Augsburgut (37), ndërsa pasojnë Cesc Fabregas i Comos dhe Didier Digard i Le Havres që janë 38-vjeçarë. 

Dhjetëshja e trajnerëve më të rinj në ligat më të mëdha evropiane kompletohet me Vincent Kompanyn e Bayernit dhe Fabio Pisacanen e Cagliarit që janë 39-vjeçarë./koha.net/

Read Previous

Zelensky: Rusia po ndihmon Iranin dhe Korenë e Veriut

Read Next

Themeluesi i Telegram do t’ua lë pasurinë mbi 100 fëmijëve të tij biologjikë