Në 26-vjetorin e çlirimit të Kosovës qytetarët kanë vizituar kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ata thonë se vetëm duke kujtuar të rënët për liri, ne kujtojmë dhe bartim historinë e popullit tonë brez pas brezi.
Qytetari nga Deçani, i cili jeton në mërgim, Valdet Mustafa, ka thënë se edhe pse jeton në mërgim, ai në ditët e rëndësishme të vendit gjithmonë vjen dhe viziton Prekazin.
“Është një ditë e shenjtë, dita e çlirimit të Kosovës edhe pse pa marrë parasysh në këtë ditë nuk është çliruar e gjithë Kosova, por është çliruar një pjesë e Kosovës, por fillon prej kësaj dite. Ne vijmë çdo herë e vizitojmë familjen Jashari, Prekazin, Gllogjanin dhe shumë vende të tjera edhe pse jetojmë në mërgim, por gjithmonë vijmë në këto ditë që janë të shenjta e vizitojmë këto familje të nderuara”, ka thënë Mustafa.
Florim Doroci nga Mitrovica, i cili kishte prurë vajzën e tij ta vizitojë për herë të parë Prekazin, tha se vendi legjendar i Adem Jasharit ka rëndësi shumë të madhe dhe se historinë e popullit tonë duhet ta përcjellim brez pas brezi.
“Ka një rëndësi shumë të madhe se këta janë dëshmorë, kanë rënë për Kosovë, pata qejf edhe vajzën me e pru, për herë të parë ka ardhur këtu…00:30 (Historinë) Duhet ne me ia përcjellë brez mbas brezi”, ka thënë ai.
Homazhe sot kanë bërë në Prekaz edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. /KosovaPress/